Sondazh

Lufta në Iran, a rrezikon të nisë Lufta III Botërore?

Loading ... Loading ...
 

“Muze hebre në Vlorë”/ Rama në Knesset: Shqipëria, vendi që strehoi më shumë hebre. Paqja e vetmja që mbështesim të palëkundur

schedule16:19 - 26 Janar, 2026

schedule 16:19 - 26 Janar, 2026

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalimin historik në Knesset, në Parlamentin izraelit. Rama është shprehur falënderues për mikpritjen.

Rama theksoi se paqa është ajo që duhet mbështetur duke shtuar se për këtë janë të palëkundur

“Shqiptarët e bënë vendin e tyre të vogël të vetmin vend në Europë që ndihmuan hebrejtë”, tha ai, duke shtuar: “Shqipëria është i vetmi vend që doli nga Lufta e Dytë Botërore me shumë hebrenj të strehuar brenda territorit të saj. Vij këtu pasi Kuvendi miratoi vendimin për tu bërë pjesë e Bordit të Paqes dhe të bëjë Shqipërinë vend themelues të Bordit të Paqes që do të kontribuojë në këtë dritare mundësie të re për paqe për popullin e Gazës dhe rajonin”.



Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama:

Ekziston një histori e thellë që i lidh popujt tanë. Kapitulli kulmor, natyrisht, është koha e errët e Holokaustit.

Por trashëgimia jonë e përbashkët shtrihet përtej shekujve: hebrenj që mbërritën në brigjet tona pas shkatërrimit të Tempullit, sefardë që ikën nga Rekonkuista, familje hebreje që gjetën strehë në tokën tonë herë pas here, sa herë Europa zhytej sërish në një nga impulset e saj më të vjetra dhe më të errëta: urrejtja ndaj hebrenjve.

Në vitet 1930, një hebre amerikan i dërguar në Europë si pjesë e një misioni vëzhgimi, Leo Eton, shkroi në një raport drejtuar Kongresit të Shteteve të Bashkuara se Shqipëria spikaste në Europë, duke e dokumentuar vendin tone si vendvendosje e mundshme për hebrenjtë që iknin nga Europa Qendrore dhe Lindore. Ai vuri në dukje se pluralizmi fetar në Shqipëri funksiononte praktikisht, jo simbolikisht: myslimanët, ortodoksët, katolikët dhe hebrenjtë jetonin brenda një kuadri ku feja nuk përcaktonte besimin mes qytetareve, dhe Shqipëria theksonte ai mund të konsiderohej si një vend i përshtatshëm për vendstrehim hebre, ku nuk ekzistonin barriera ligjore apo shoqërore për jetën hebreje.

Pikërisht në ato vite, përpara lufte, ndërsa antisemitizmi po rritej në mbarë Europën, Shqipëria shkoi aq larg sa të njihte respektimin e Shabatit si një të drejtë njerëzore të komunitetit hebre, duke u bërë një vend i veçantë në anën tonë të botës që lidhi ligjërisht si punëdhënësit publikë, ashtu edhe ata privatë me detyrimin për ta respektuar atë të drejte.

Gjatë Holokaustit, kur i dërguari nazist Hermann Neubacher kërkoi lista të hebrenjve dhe arin e tyre, përfaqësuesit tanë iu përgjigjën me një fjali që meriton të gdhendet në gur: Mund ta merrni arin. Jo hebrenjtë.

Ari ishte i tyre për ta marrë. Hebrenjtë ishin tanët për t’i mbrojtur.

Kjo nuk është legjendë. Kjo është Shqipëria, ku hebrenjtë nuk i’u fshehën shoqërisë, por shoqëria i fshehu ata.

Dhe nëse doni shpjegimin e kësaj mrekullie, nuk ju duhet një teori politike apo një rabin, ndonëse e di që rabinët dinë t’i shpjegojnë gjërat më të vështira me fjalët më të thjeshta dhe madje edhe mund të parashikojnë mrekullirat.

Por jo, ju duhet vetëm një fjali nga ligji ynë i parë i shkruar në mesjete, Kanuni, kodi shqiptar i nderit: Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut. Jo thjesht mikut që ti fton, sigurisht edhe atij, por mikut që të troket në derë, të huajit që ka nevojë për ndihmë. Tradhtia ndaj atij miku është një krim i pafalshëm. Ajo njollos emrin tënd me turp dhe ndëshkon familje të tjera me përjashtim nga jeta e komunitetit.

Kështu më mirë të vdesësh sesa të dorëzosh mikun tënd. Dhe meqenëse hebrenjtë ishin mysafirët e Shqipërisë kur makineria më e frikshme e vdekjes që njerëzimi ka krijuar ndonjëherë mbërriti në tokën tonë, për shqiptarët, dhe mbi të gjitha për shqiptarët myslimanë që atëherë përbënin shumicën dërrmuese, zgjedhja ishte brutalisht e thjeshtë: më mirë të vdesim sesa të dorëzojme hebrenjtë tanë.

Ky kapitull i ndritur i historisë shqiptare mbart një mesazh me rëndësi të ngutshme për botën e sotme, e cila duhet të kujtohet vazhdimisht për atë që Hannah Arendt na mësoi me qartësi të pamëshirshme. E keqja shpesh nuk është djallëzore apo spektakolare, por e zakonshme deri në rrezikun e të qenit e tillë. E keqja  është thjesht banale.

Tragjedia e Holokaustit nuk ishte vetëm mizoria e pak vetëve, po pasiviteti i shumëkujt. Por në një vend të vogël, në vendin tonë, ndodhi e kundërta. Populli ynë ishte i varfër, nuk kishte  pushtet, nuk kishte ushtri apo kufij strategjikë. Por zotëronte diçka pafundësisht më të çmuar për atë moment të historisë: aftësinë për të parë një fytyrë njerëzore dhe për të njohur në të, një detyrim moral.

Kur të tjerët dorëzonin fqinjët e tyre hebrenj te autoritetet, shqiptarët i ruanin në siguri. Kur nënshtrimi u bë aleati i heshtur i së keqes, gjyshërit tanë zgjodhën rrugën e rrezikshme të përgjegjësisë.

Dhe duke bërë këtë, ata e ruajtën këtë cep të Europës njerëzor, në një kohë kur njerëzorja po zhdukej dita-ditës.

Kjo histori nuk është një dekor për për të mbresuar të tjerët. Është busula që duhet ndjekur nëse duam të mbetemi të denjë për dhuratën e jetës që na është dhënë nga i njëjti Zot, dhe për të bërë diçka të denjë me atë dhuratë në këtë tokë, që fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë të mos vuajnë nesër për shkak të asaj që nuk patëm guximin ta përballim sot apo nuk e nxorrëm mësim nga dje.

Prandaj Shqipëria ishte ndër vendet e para në Europë që miratoi legjislacion të ri kundër antisemitizmit, prandaj kemi integruar edukimin për Holokaustin në kurrikulat tona shkollore, dhe prandaj po ndërtojmë në këtë moment, në zemër të Europës, dy hapësira të veçanta kulturore të frymëzuara nga forca tërheqëse e shembujve ndriçues të gjyshërve tanë myslimanë dhe të krishterë, që rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar jetë hebreje.

Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me hebrenjtë. Ka të bëjë me njerëzimin.

Dhe jo me njerëzimin si një fjalë e përgjithshme, po me njerëzillëkun tonë.

Për këtë arsye, prej shumë vitesh tashmë, Shqipëria ka ofruar mbrojtje për disa mijëra qytetarë iranianë, opozita e të cilëve ndaj kasapëve të Teheranit ua vuri jetën në rrezik të madh.

Nuk ishte pa rrezik as për ne, dhe nuk është pa rrezik as edhe sot. Të mbetesh njerëzor kur e njerëzishmja jote vihet nën presion nuk është kurrë pa rrezik. Përkundrazi. Dhe pikërisht sepse e morëm përsipër atë rrezik, disa vite më parë Shqipëria pësoi një sulm masiv kibernetik të drejtuar nga Irani, që synonte shkatërrimin e gjithë infrastrukturës sonë publike digjitale.

Ne rezistuam. Ata nuk ia dolën.

Na u tha nga miq të fuqishëm të mos reagonim shumë ndaj Iranit, sepse ata janë të mëdhenj dhe të rrezikshëm. Por ne i dhamë personelit të ambasadës iraniane njëzet e katër orë për të lënë vendin dhe e këputëm edhe fijen krejt të hollë të lidhjes që kishim me Republikën Khomeiniste, të cilën nuk do ta quaj kurrë islamike, sepse Islami është dashuri dhe përulësi, ndërsa khomeinizmi është urrejtje dhe vdekje. Dhe nuk është e shkruar këtu, por thjeshtë dua të bëj atë çfarë Bibi bën gjatë gjithë kohës, të dalë nga fjala e shkruar dhe të them sa vijon: Një mike e jona, bashkëshorti i të cilës është iranian, më tha që pak ditë më parë në një treg në Teheran, njerëzit ishin të pranishëm dhe ndërkohë u vu zjarri dhe tregu u rrethua nga vrasësit. Njerëzit kishin dy zgjedhje, ose të digjeshin nga flakët brenda tregut, ose të vriteshin në dyert e tregut. Por pyetja ime është kjo: Si është e mundur?!  Që ndërkohë që media globale flet për 30 mijë njerëz të vrarë për tre ditë, nuk ka mbledhje në asnjë shesh të botës kundra Ayatollahëve për të bërë thirrje për fundin e këtij regjimi. Natyrisht është një pyetje që nuk kërkon përgjigje prej jush. Ju e dini përgjigjen.

Dhe siç ofruam mbrojtje për ata që u vunë në shënjestër nga mullahët e Teheranit, Shqipëria u bë gjithashtu strehë për disa mijëra të tjerë të shënjestruar nga mullahët e Kabulit, gjatë kaosit qe krijoi tërheqja e çrregullt e forcave të koalicionit nga Afganistani,

Kur shumë të tjerë, më të mëdhenj dhe më të pasur, kthyen shpinën, pasi kishin qenë atje, pasi i kishin premtuar atyre njerëzve liri, demokraci, të drejta për të gjithë e pasi i kishin marrë që të pastronin makinat e tyre, shtëpitë e tyre u zhdukën, ndoshta sepse më të mirët dhe më të ndriturit e shoqërisë së Kabulit nuk ishin mjaftueshëm të bardhë apo ishin tepër myslimanë për ta, por ne patëm bekimin të përfshihemi në rrjetin më të jashtëzakonshëm të solidaritetit që kam parë ndonjëherë.

Financimi, logjistika dhe lidhjet u mblodhën jashtë vendit si uragan. Dhe nuk ishte qeveria e SHBA që e organizoi. Ishin qytetarë amerikanë nga çdo shtresë e fushë e jetës dhe përtej ndarjeve politike, të cilët mobilizuan njerëzillëkun e tyre për të shpëtuar jetë përmes një zinxhiri të jashtëzakonshëm duarsh, që formuan një trekëndësh mes Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Katarit, ku ministri i jashtëm i Katarit i asaj kohe, sot Kryeministër, Mohammed bin Abdulrahman, u shndërrua në një lloj kulle kontrolli të shpresës dhe e ktheu aeroportin e Dohas në një rrugë shpëtimi drejt jetës, për mijëra njerëz që u pritën me dhembshuri në Shqipëri.

Më lini t’Ju siguroj se nuk jam këtu, larg qoftë, për t’i dhënë leksione kujt. Jo vetëm sepse vende të vogla si i imi nuk japin leksione, por marrin leksione gjatë gjithë kohës, por edhe sepse besoj se ata që i japin leksione Izraelit nga larg, rrezikojnë seriozisht të jenë, jo vetëm të jenë pa drejtpeshuar, por thelbësisht të padrejtë.

Megjithatë, besoj fort se kërkimi i paqes nuk ka të bëjë kurrë me sa e keqe apo jo e besueshme ka qenë ana tjetër, por me sa besnik zgjedh të mbetesh ndaj vlerave të tua.

Marrëveshja mahnitëse e paqes mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, në të cilën një udhëheqës botëror i rrallë si Sheikh Mohammed bin Zayed theu epoka të gjata konflikti dhe i mësoi botës me shembull se, nëse kujtojmë se Zoti është në anën tone, por gjithashtu edhe në anën e tjetrit, dhe jemi mjaftueshëm të guximshëm për të kuptuar se nën syrin e qiellit jemi të gjithë në të njëjtën anë të paqes, atëherë paqja nuk është thjesht një rrugë e mundshme drejt së ardhmes, por e vetmja rrugë e mundshme e së ardhmes.

Më shumë se kaq, besoj fort se ajo që e bën unike këtë dritare të re mundësie është momenti i Firences në Lindjen e Mesme.

Ajo që po ndodh këtu pranë në rajonin tuaj ngjan, në sytë e mi, me atë që ndodhi në Europë kur udhëheqje vizionare, të frymëzuara nga moderniteti dhe bukuria, e shndërruan Firencen në djepin e Rilindjes.

Izraeli nuk është më i vetëm në kërkimin e transformimit, inovacionit dhe lidershipit global të së ardhmes në këtë pjesë të botës.

Nga rrugët e Riadit tek oazet e gjelbra të Abu Dhabit dhe brigjet plot jetë të Dohas, ndihet një erë magjepsëse ndryshimi, që ka pak të bëjë me karikaturën e vjetër të spektaklit të ngjyer me ar në shkretëtirë.

Arabia Saudite, nën udhëheqjen e udhëheqësit të ri me iniciativë, të vendosur dhe vizionar, tiparet e së cilës kujtojnë Lorencon e Madhërishëm të Firences, po ndryshon me një shpejtësi marramendëse.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendosur në pararojë të lidershipit global në axhendën e gjelbër, e gjithashtu të përgjegjësisë sociale përtej kufijve, përtej ngjyrës së lëkurës, përtej dallimeve, ndërkohe qe Katari, i udhëhequr për më shumë se një dekadë nga Emiri i tij i ri dhe largpamës, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, ka bërë një kapërcim të jashtëzakonshëm në skenën botërore dhe, falë po kështu edhe një gruaje aktive, motrës së tij, Sheikha Al Mayassa, po shndërrohet në një laborator të madh të transformimit urban dhe të stilit të jetesës së nje rruge te re.

Emëruesi i përbashkët sot mes fqinjëve tuaj arabë është një shtysë për modernizim në çdo drejtim dhe për zbukurim në çdo hap, dhe së bashku ata po e bëjnë këndin e vjetër dhe të mrekullueshëm të Europës të duket papritur i zymtë dhe i zbehtë. Po ka një pikëpyetje që kokëfortë ngrihet mbi gjithë këtë.

Si mund të bashkëjetojë kjo histori e jashtëzakonshme e një të ardhmeje të ndritur, e shkruar me fuqinë e çliruar të shpresave dhe ëndrrave në shkretëtirë, me plagën e madhe të hapur të një konflikti që ka sjellë vuajtje dhe shkatërrim kaq të zgjatur, një plagë që ende qëndron në zemër të Lindjes së Mesme si një kurth i aftë të përpijë në errësirën e vet çdo ëndërr madhështie që po ndërtohet përreth këtij rajoni.

Është e pamundur, nuk ka sasnjë shans që të dyja të rrinë së bashku për gjatë. Ndaj uroj fort që marrëveshjet abrahamike do të vbazhdojnë dhe uroj që ndodhta duke hedhur sytë nga e shkuara e përgjakshme me sytë e një ardhmeje të shndritshme dhe jo anasjelltas, ky rajon në tërësi mundet, ashtu siç Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ndonje tjeter, ka bërë tashmë të zbulojë jo vetëm se paqja është e mundur, por se paqja mund t’i ngreje të gjitha vendet paqebërëse pothuajse si një mrekulli, lart ne hapesiren e besimeve abrahamike.

Shqipëria nuk mund të ndihet më e bekuar sesa kur i numëron si Izraelin ashtu edhe vendet arabe, ndër miqtë e saj të ngushtë. Edhe Turqinë meqë ra fjala. Ne synojmë t’i thellojmë këto marrëdhënie dhe qëndrojmë të vendosur në gatishmërinë tonë për të marrë pjesë, së bashku me vëllezërit tanë arabë, turq dhe të tjerë, në forcën e ardhshme ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!