Ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa është shprehur se asnjë kandidat nuk është paraqitur zyrtarisht se do garojë për ta zëvendësuar. Kanë mbetur fiks dy javë deri në mbajtjen Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, ku pritet që delegatët të zgjedhin kryetarin e ri të kësaj partie.
Tashmë janë një numër i personaliteteve të kësaj partie, që si duket kanë shprehur ambicien për të qenë kandidatë. Megjithatë reagimet e fundit të zyrtarëve të LDK-së nëpër rrjetet sociale, tregojnë se bëhet fjalë për ndarjen në dy tabore brenda kësaj partie.
Ata që përkrahin Lutfi Hazirin për kryetar dhe ata që e duan Kujtim Shalën në këtë post. Megjithatë, ende nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare që është dorëzuar në këtë parti, e që do garonte për të zëvendësuar kryetarin 10 vjeçar të LDK-së, Isa Mustafën.
Këtë e ka konfirmuar vetë ish-kreu i kësaj partie, në një intervistë për T7.
“Nuk ka asnjë, deri më 14 mars secili ka të drejtë të dalë të sprovojë vetën nëpër degë të bisedojë, dhe të shohë si e ka përkrahjen dhe pastaj në këtë datë të dalin kandidaturat.”
Mustafa foli edhe për lajmet se, njëri nga emrat më të përfolur, ka refuzuar të jetë kandidat për të parin e kësaj partie. Ndërsa për kandidaturat e shpallura publikisht, Mustafa nuk ka pranuar t’i komentojë, duke thënë se do i presin kur të vendosen zyrtarisht.
Mustafa ka shtuar se data 14 mars nuk do të shtyhet, por do zgjidhet kryetari i ri. Publikisht kandidaturën e tyre për të parin e kësaj partie e kanë shpallur Anton Quni dhe Melihate Tërmkolli. /abcnews.al/