Eugenio Scalafari është një gazetar italian. Sot është 95 vjeç. Është gazetari më i famshëm, ndoshta edhe më i zoti në Italinë e sotme. Por e ka bërë edhe më të famshëm libri i tij i fundit me titullin “Zoti që është vetëm ligji dhe bota moderne” (Il Dio unico e la società moderna).
Në këtë libër ai përshkruan takimin që ka patur me Papa Françeskun dhe intervistat që i ka marrë atij, duket e çuditshme në fakt që Papa dhe Scalfari të takohen shpesh.
Ati i shenjtë dhe Scalfari një ateist, por ja që takohen. Është me sa duket kënaqësia intelektuale që i ka bërë bashkë dhe ideja e ballafaqimit të ideve që i kanë të kundërta.
Nuk ekziston ndonjë foto apo pamje filmike e takimeve të tyre, por është e lehtë të përfytyrohen të dy duke bërë “çu.. çu.. çu..”. Scalafari ka gjetur te Papa një interlokutor të veçantë në këtë muzg të jetës së vet.
Ndërsa Papa duhet të ketë gjetur te Scalfari, Priftin për tu rrëfyer, për ti thënë gjëra që s’mund t’ia thotë askujt, ndoshta edhe dyshimet që e kanë përndjekur gjithë jetën e vet prej besimtari.
Scalfari ndryshon disi nga Prifti, i nxjerr rrëfimet në pazar. Kështu ka bërë përpara disa kohësh kur tha se, Papa i kishte thënë që ferri nuk ekziston, dhe për rrjedhojë të liqtë dhe jobesimtarët nuk ka pse të kenë frikë.
Kështu ndodhi edhe tani, me librin e fundit, ku Scalfari pretendon që Papa ti ketë thënë se, ringjallja e Krishtit nuk është ashtu si e besojnë, domethënë edhe fizike. Ajo është vetëm shpirtërore.
Me këtë Papa hedh poshtë ungjijtë, hedh poshtë edhe 2000 vjet histori të krishtërimit. Është një nga bombat më të mëdha që ka nxjerrë nga goja e vet një Papë, qysh prej kohës së Shën Pjetrit.
Është një qëndrim që bën lëmsh dynjanë. Një Papë nuk mund ta thotë këtë. Papa Françesku nuk mund ta thotë këtë, madje as nuk mund ta mendojë. Ndryshe ç’u kuptua që është Papë?!
Një burrë plak mbi të 80-tat, edhe mund ta mendojë, s’ka gjë nëse është Papë. Mbi të gjitha është njeri. Për t’ia thënë dikujt apo gjithkujt nuk është e lehtë, sepse ai gjithsesi është një Papë, por për ta menduar mund ta mendojë.
Le të supozojmë se e mendon. Mund të imagjinohet se çfarë lufte e madhe zhvillohet brenda tij, midis Papa Françeskut dhe Jorge Belgolios, mund të imagjinohet se çfarë tundimi ka Bergolio për të sfiduar Françeskun.
I është dorëzuar këtij tundimi në bisedën me një njeri të vetëm, me Eugenio Scalfarin, dhe ka gjetur shëlbimin.
Nuk duhet të përjashtohet edhe rasti tjetër, të kuptohemi, ndoshta është kujtesa e Eugenio Scalfarit që funksionon me logjikën “Wishful thinking”, ose vetë Scalfarit i pëlqen të luajë apo të tallet në këtë fazë të jetës së vet me të vërteta të mëdha.
Me të vërtetat më të mëdha të botës, ndërkohë ai vetë nuk i ka besuar asnjëherë këto të vërteta, sepse ai është ateist.
Por atij me sa duket i pëlqen të luajë me të vërtetat e mëdha të njerëzimit. Është eksituese kjo lojë. Sidoqoftë mua më intrigon shumë biseda e tyre, bisedat e tyre.
Do kisha dashur të isha atje, si një vesh i jashtëm, për të marrë vesh nëse e gjitha kjo, ka qenë një bisedë mes dy njerëzish të urtë, apo mes dy pleqve të rrjedhur? Apo mes një të urti dhe një të rrjedhuri?
Sikur të ishte kjo e fundit, hajde ta marrësh vesh se cili është i urti, dhe cili është i rrjedhuri mes atyre të dyve./abcnews.al