Musolli e Rroca e mbyllin me Kukësin, Vllaznia gjen edhe mesfushor

schedule09:19 - 18 Shtator, 2020

schedule 09:19 - 18 Shtator, 2020

Zhvillime në Superiore, te Kukësi e Vllaznia. Nënkampionët e vendit humbasin dy lojtarë të rëndësishëm të mesfushës, kapitenin Besar Musolli dhe fantazistin Eduart Rroca. I pari rikthehet në Kosovë, kurse i dyti do të luajë në Turqi.

Te Vllaznia, pas Haris Dilaver kanë gati edhe një tjetër afrim. Këtë herë në mesfushë dhe do të jetë Fjoart Jonuzi ai që do të nënshkruajë me skuadrën veriore. Mesfushori më parë ka qenë pjesë e Kukësit, ku nuk gjeti hapësira. Te Laçi më pas u kthye në titullar të rëndësishëm dhe vjet u aktivizua në Kosovë me Gjilanin.

MUSOLLI – Tetë sezone te Kukësi, gjithçka e fituar, më shumë se 200 ndeshje të luajtura dhe tani koha për një aventurë të re. Besar Musolli është i fundit që kishte mbetur nga Kukësi që debutoi në Superiore në vitin 2012 dhe ndjek rrugën e Ylli Shametit, duke iu bashkuar Gjilanit.

Pas ndeshjes me Wolfsburg kontrata i mbaroi, ndërkohë që drejtuesve ua kishte bërë të ditur se donte të kthehej në Kosovë. E gjitha për arsye familjare, pasi kurrsesi nga Kukësi nuk mund të ikë me kujtime të hidhura. Është i lidhur me atë fanellë dhe me tifozët dhe pa asnjë diskutim e ka shkruar emrin në historinë e klubit verilindor.

RROCA – I blerë nga Luftëtari në janar të vitit 2019, Eduart Rroca ka qenë një nga lojtarët kryesorë të Kukësit në një sezon e gjysmë. Mesfushori gjithashtu e mbyll me klubin verilindor, madje me pengun që nuk i shënoi skuadrës së Wolfsburb me penallti.

Rroca tani do të luajë në Turqi, me Istanbulspor. Prej më shumë se një jave ai ka qenë në Turqi, ku edhe ka nënshkruar me klubin e ri. Nga kjo lëvizje përfiton edhe Kukësi, që do të arkëtojë të ardhura të rëndësishme nga transferimi i tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!