Murrizi drejt krijimit të një partie të re: Basha nuk e mund dot i vetëm Ramën

schedule16:59 - 9 Maj, 2020

schedule 16:59 - 9 Maj, 2020

Opozita parlamentare do të kërkojë ndryshime dhe nuk do të miratojë draftin e reformës zgjedhore që do të miratojë Këshilli Politik, nëse nuk do të merret parasysh kërkesa për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i opozitës, Myslim Murrizi sqaron se Këshilli Politik nuk është një organ kushtetues ndaj edhe deklaron se drafti do pësojë ndryshime kur të vijë në Kuvend.

“Ky Këshilli Politik, konsiderojeni si të doni ju është kot, nuk figuron askund si organ. As Rregullorja e Kuvendit as kushtetuta as një ligj organik nuk e sanksionon. Se çfarë do të zhgarravisin këta atje, ai draft do të vijë më së pari në komisionin e reformës zgjedhore pastaj do të kalojë në seancë. Unë por edhe një pjesë dërrmuese e deputetëve të opozitës, por edhe ata që kanë njëfarë dinjiteti nga maxhoranca nuk mund të urdhërohen nga tre njerëz pa firmë dhe vulë në dorë në bunkerin e pallatit të kongreseve se ky është turp”, tha Murrizi.

Vota në Kuvend do të jetë kundër edhe nëse drafti merr “bekimin” e ndërkombëtarëve.

“Nuk votoj asnjë buzëkuq të rekomandimeve të Borchardit që varet nga Rama deri në 31 dhjetor të 2020. Nuk desha ta di fare. Hiç. Këta vijnë për të bërë karrierë për veten e vetë. Ngrohin kolltuqet, xhepat dhe ikin dalin në pension si Knuti, Tania Fajon e jastëkut dhe kështu me radhë”, shprehet nënkryetari i Kuvendit.

Plaga më e madhe e zgjedhjeve sipas Murrizit ngelet sistemi zgjedhor, i cili sipas tij është pakti që i bashkon gjithnjë kryeministrin dhe kreun e opozitës.

“Çfarëdo që të gatuajnë ata, nëse nuk vënë primare plagën reale prej 12 vitesh që është sistemi zgjedhor, pra t’i japim mundësi shqiptarëve që të zgjedhin jo të votojnë. Pra nëse lajthit Rama me Bashën dhe fusin në numrat 1,2,3 në lista kriminelët, ndoshta edhe Toto Rinon, qytetarë shqiptarët kanë zero shans për t’i hequr nga lista”, sqaron deputeti i opozitës.

Për nënkryetarin e Kuvendit, anti-komunistët dhe të djathtët sot nuk janë të përfaqësuar ndaj edhe shumë shpejt deklaron se do të krijohet një formacion i ri politik.

“Ajo që unë shoh vakum në spektrin politik shqiptar, për dreq nuk e kisha menduar kështu në dhjetor të 1990 që 30 vjet pasi rrëzuam komunzimin do të kishim vetëm parti të majta. Së pari ne po konsolidojmë veten me ata deputetë që aspirojnë për të mos zbritur te stacioni i 2021, sepse në parlament janë 42 deputetë të ardhur nga listat. Por 10 apo 15 deputetë nga ajo sallë jemi duke u konsultuar çdo ditë me njëri-tjetrin. Pasi të konsolidojmë veten, duke parë edhe kodin absolutisht do të kontaktojmë me të gjithë ata që duan të rrëzojnë Ramën dhe të prishin pazarin Rama-Basha. A do të vijë apo jo në parlament në vitin 2021 këtë e dinë qytetarët shqiptarë, por që do të jem kandidat këtë e di Myslim Murrizi”, sqaron ai.

Ish-kreut të forcës së tij politike, Lulzim Bashës i sygjeron të hapë listat dhe të rikthej të gjithë të larguarit, duke qenë i bindur se vetëm kështu Partia Demokratike mund të vijë në pushtet.

“Demokratët demokratike në çdo vit, fatkeqësisht në fatkeqësi të demokratëve shqiptarë është si Kulla e Pizës, baza është djathtas, antikomunistët, të përndjekurit politikë dhe të tjerë. Sa më lart të ngrihesh ikën majtas. Nga kryetar dege, kryesi, Këshilli Kombëtar. Ka anuar fort, ishalla nuk shembet. Por si e mund Partia Demokratike dhe opozita Ramën? Me këtë ligj zgjedhor është në limitet e të pamundurës. Ndryshimi i ligjit e përzë Ramën nga pushteti. Nuk e mund dot Basha Ramën si individ. Por Partia Demokratike në arsenalin e saj, sidomos këtë Parti Socialiste që është sot absolutisht e mund”, tha deputeti i opozitës.

Kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme sipas Murrizit ka qenë e pasinqertë.

“Nuk e di nëse janë dakord që të jenë zgjedhjet në 2021 apo jo se duhet t’i pyesësh. Ndoshta njëfarë marrëveshjeje, nëse ndodh që pandemia rikthehet sërish në tetor apo nëntor rrezikohen edhe zgjedhjet e 2021. Pra këta jo vetëm që nuk po kërkojnë zgjedhje por nëse ka pandemia po kërkojnë që të shtyhen edhe pak zgjedhjet”, deklaron Murrizi.

Përpara se të prezantoj alternativën e tij politike përpara shqiptarëve, Murrizi garanton se do të respektoj votën e demokratëve që e sollën në parlament duke bërë opozitë me qeverinë e drejtuar nga Edi Rama. /abcnews.al/