Në futboll ndryshojnë gjërat shumë shpejt. Mauro Icardi e nisi për mrekulli aventurën me PSG-në dhe golat nuk po mungonin. Edinson Cavani kishte përfunduar në stol dhe të gjithë ishin të siguret që do të largohej në janar. Situata e vitit 2020 është ndryshe te kampionët e Frances.
Argjentinasi ka harruar të shënojë, gjë që është rikthyer ta bëjë El Matador. Tashmë është radha e Icardit për të ngrohur stolin, teksa Cavani ka fituar pozicionin e tij. Rreth kësaj situate ka folur Thomas Tuchel. Trajneri gjerman i PSG-së flet troç në konferencë për shtyp dhe shpjegon se pse ish-sulmuesi e kapiteni i Interit nuk po aktivizohet.
“Përse nuk luan Icardi? Më keni lodhur me këtë pyetje. Më parë më pyesnit pse nuk luan Cavani, tani jeni kapur me Icardin. Ne i japim besim të gjithëve. Thjeshtë kisha përshtypjen se kishte ardhur koha të luante Cavani. Edy ndodhet në një moment të rëndësishëm të sezonit dhe po jep gjithçka. Ka krijuar shumë raste, ka shënuar dhe ka dhuruar asist. Kështu funksionin me sulmuesit, nëse shënojnë bëjnë diferencën dhe qëndrojnë në fushë“, deklaronTuchel. /abcnews.al