Mund t’i injektohen një personi doza nga vaksina të ndryshme? Fico: Cilat janë udhëzimet që ndjekim

schedule15:41 - 24 Mars, 2021

schedule 15:41 - 24 Mars, 2021

Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi ditën e sotme se incidenca e infektimeve gjatë dy javëve të fundit në vend ka rënë. Megjithatë, nuk ka ardhur ende koha që të kthehen studentët në auditorë.

Në një konferencë për mediat, kryetarja e këtij Komiteti, Mira Rakacolli u shpreh se, infektimi i moshave të reja, është një arsye më tepër që të mendohet me kujdes rikthimi i studentëve në auditorë. “Është e vërtetë që kanë kërkuar rikthim në auditorë, kjo varet në përputhje me nivelin e indikatorëve, ato që ne thamë, nuk janë akoma në atë stad që të na lejojnë të bëjmë një lirim masash.”

Kurse, Albana Fico duke sjellë në vëmendje se vetë anëtarët e Komitetit janë pedagogë, shtoi: “Mos harrojmë që jemi shumica pedagogë këtu. Kemi prekje të grupmoshave të reja ndryshe nga 3-4 javët e para. Prandaj jemi shumë të kujdesshëm.”

Por si paraqitet situata në spitale sa i përket shtrimit të të rinjve në spitale?

Ekspertët thonë se infektimi i moshave të reja vijon të jetë problem, edhe pse numri është në rënie, por ka sërish forma të rënda të sëmundjes.

“Vazhdon të mbetet problem. Rastet janë në gjendje të rëndë, ato që paraqiten. Ka mosha të reja, edhe në gjendje të rëndë. Por jo më shumë se më parë.”

Të pyetur nga gazetarja e ABC Ajgena Korbi cila është sasia e vaksinave kineze që do të merren dhe cilave grup-mosha do t’ua administrohen, ata thane se qeveria është në përfundim të kontratës. Dhe se detajet do të bëhen më tej publike.

Kurse, e pyetur nga gazetarët nëse një personi mund t’i bëhen doza nga dy vaksina të ndryshme, Albana Fico tha se për momentin do të ndiqen udhëzimet aktuale, pra njerëzve do t’u injektohen dozat e së njëjtës vaksinë.

“Teorikisht, deri më sot prodhuesit kanë rekomanduar përdorimin e të njëjtën vaksinë. Kemi një vaksinë si Sputnik, që i ka dy elementë, por janë e njëjta e vaksinë. Dhe ka një arsye se pse quhen 26 dhe 5 nga mënyra sesi ato futen…dhe si reagon mekanizmi. Ka disa përpjekje si AstraZeneca me Sputnik V, por këto janë në faza preliminare. Për sa kohë nuk kemi gjë nga Komiteti Shkencor që i vlerëson, ne do të mbetemi me ato udhëzues me të cilin vijnë vaksinat në Shqipëri.” sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!