Mustafa Nano: Ka shqiptarë që më shumë besojnë Cakon se qeverinë suedeze

schedule21:16 - 14 Korrik, 2020

schedule 21:16 - 14 Korrik, 2020

Në monologun e tij këtë të martë në “Provokacija”, Mustafa Nano është ndalur tek teoritë e konspiracionit.

Nano ka sjellë në vëmendje tragjedinë e Kullave Binjake, për të ardhur tek ajo që po ndodh ditët e sotme, ndërsa bota përballet me Covid-19.

Ndërsa, virusi ndryshoi stilin e jetës në botë, të shumta janë teoritë konspirative për ekzistencën e tij.

Mirëpo, për Mustafa Nanon, nuk ka virus më të keq sesa teoritë konspirative.

Ka shqiptarë që më shumë besojnë më shumë Fred Cakon sesa qeverinë suedeze apo gazetën “Neë York Times”. Nuk ka virus më të keq sesa teoritë konspirative. Këto të fundit janë më keq sesa covid-19. Covidit mund t’ia gjejmë vaksinën, por teorive konspirative nuk ua gjejmë dot”, shprehet Nano.

Monologu nga Mustafa Nano:

Le të flasim pak për teoritë e konspiracionit. Më saktë, për ata që i besojnë ato, për ata që besojnë se botën nuk e komandojnë ata që bëjnë sikur e komandojnë apo për ata që besojnë se gjërat nuk janë asnjëherë ashtu si duken.

Po e filloj me një alibi të tyren. Sepse e kanë një alibi. Ka raste kur e vërteta në një ngjarje nuk puqet me narrativën zyrtare. Por ky është përjashtim. Nuk është rregull dhe gabimi që ata bëjnë është pikërisht ky: marrin përjashtimin si rregull. Ose shpesh herë marrin pasojën për qëllim. Në këtë rast, një aksident të thjeshtë e marrin për një gjë të organizuar. Shikoni, të marrësh përjashtimin për rregull apo pasojën për qëllim, është një gabim që e bëjnë budallenjtë. Ata janë budallenj, s’ka gjë se ata e mbajnë veten për të zgjuar.

Le të marrim kullat binjake. Rrëzimi i tyre ishte vepër e një duzine terroristësh islamikë, të cilët rrëmbyen avionët me pasagjerë dhe me to iu sulën kullave binjake. Mirëpo, konspiracionistët tanë nuk janë kaq budallenj, janë shumë të zgjuar dhe ata besojnë se rrëmbimi avionëve ishte kopertura, teatri, shfaqja që do të shërbente për të fshehur të vërtetën e vërtetë, për të fshehur që e gjitha ishte organizuar nga amerikanët e hebrenjtë dhe me këtë shpjegohet që asnjë prej viktima e nuk ishte hebre, për të fshehur që dy kullat ishin minuar në themele para se të bëhej loja me avionët dhe prandaj ranë ashtu si ranë, u shkerrmoqën etj.

Le të marrim virusin Covid-19. Disa konspiracionistë besojnë se nuk ka virus fare, por të shumtë besojnë se virusi ekziston, veçse qeveritë gënjejnë kur flasin mbi fuqinë e këtij virusi, gënjejnë kur flasin për numrin e të infektuarëve e kur flasin për numrin e të vdekurve. Ose besojnë që Covidi 19 ekziston, por ai është shpikur në një laborator nga shkencëtarët me synimin për të dëmtuar vende të caktuara, apo raca e etni të caktuara, si myslimanët, hebrenjtë apo të zinjtë apo pleqtë.

Ka të tjerë që besojnë se virusi është një përbetim sekret i disa kompanive farmaceutike që duan të shtojnë pasurinë e tyre nëpërmjet shitjes së vaksinës kundër virusit. Ose që virusi është shkaktuar nga rrjetet wireless super të shpejta 5G. Ose besojnë që është Bill Gates ka synimin të kallë brenda vaksinës një microchip, nëpërmjet të cilit do të merren nën kontroll jetët e njerëzve.

Në SHBA janë të shumtë ata që i besojnë gjepura të tilla dhe të shumtët e atyre që i besojnë janë votues të Trumpit e shikues të televizionit Fox Neës. 23% e amerikanëve nuk kanë ndërmend të bëjnë vaksinën, kur ajo të jetë gati. Ndërsa 27% thanë se janë me dy mendje. Bashkë me ta është edhe kandidati presidencial Kanye Ëest.

Prania e këtij të fundit, Kanye West-it, është provë se konspiracionistët nuk mbushin mirë. Për mua, përsëris, ata janë të marrë. Por ata kanë “sex appeal”. Duhet t’ua njohim këtë cilësi. Thonë gjëra që njerëzit kanë qejf t’i dëgjojnë. Thonë fjala vjen se çdo gjë në këtë botë, për ta thënë në zhargonin tonë urban, është me të futme. Dhe bëjnë shpjegime alternative. Dhe shpjegimi alternativ të bën interesant. Në rrethana krizash, njerëzit janë të prirur për të besuar shpjegime alternative. Sepse janë të zemëruar e të pakënaqur me establishmentin. Sepse kanë dyshime ndaj këtij të fundit. Prej zemërimit me forcat establishment, ata hedhin dyshime mbi qindra agjenci, institucione, qeveri, universitete, gazeta, etj, që thonë një gjë dhe besojnë karafilë e bandillë që thonë një gjë tjetër. Ka shqiptarë që më shumë besojnë më shumë Fred Cakon sesa qeverinë suedeze apo gazetën “Neë York Times”.

Nuk ka virus më të keq sesa teoritë konspirative. Këto të fundit janë më keq sesa covid-19. Covidit mund t’ia gjejmë vaksinën, por teorive konspirative nuk ua gjejmë dot.

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!