Një javë pas tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë, ekipet janë në garë me kohën për të shpëtuar viktimat që mund të jenë gjallë nën rrënoja edhe pse agjencitë e ndihmës dhe autoritetet paralajmëruan se shanset për të gjetur të mbijetuar po zbehen gjithnjë e më shumë.
Pas 167 orësh, një burrë u shpëtua nga rrënojat në Antakya, në provincën Hatay të Turqisë jugore. Më herët të dielën, një grua 55-vjeçare u nxor nga rrënojat pas 159 orësh, ndërsa një grua 85-vjeçare u shpëtua pas 152 orësh e bllokuar.
Dy persona, një burrë 25-vjeçar sirian dhe një fëmijë u shpëtuan gjithashtu në Hatay rreth 151 dhe 152 orë pas goditjes së tërmetit, thanë zyrtarët lokalë të dielën.
Të paktën 41 persona u shpëtuan nga rrënojat në Turqi midis 141 dhe 163 orësh pas goditjes së tërmetit, njoftoi të hënën agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.
Më shumë se 34,000 njerëz janë konfirmuar të vdekur në të gjithë Turqinë dhe Sirinë, ku përpjekjet e ndihmës janë komplikuar nga lufta civile e gjatë. Operacionet e shpëtimit kanë përfunduar në zonat e kontrolluara nga rebelët në veriperëndim të Sirisë, tha të premten organizata vullnetare e Helmetave të Bardha.
/abcnews.al