Mourinho nuk pranon komente për Paul Pogba

schedule16:19 - 18 Shkurt, 2018

schedule 16:19 - 18 Shkurt, 2018

Paul Pogba po kalon momente të vështira tek Mançester Junajtidi. Nuk dihet se cila do të jetë e ardhmja e yllit francez, ndonëse trajneri Jose Mourinho përpiqet të qetësojë situatën.

Ndeshja u fitua, por ai nuk ishte.
Paul Pogba nuk pati vend as në stol, ndërsa Mançester Junajtid u kualifikua për në çerekfinalet e Kupës së Anglisë, me suksesin 2-0 në fushën e Hadërsfildit.
Ishte sulmuesi kryesor, Romelu Lukaku, autor i të dy golave në një përballje të vështirë, ndërsa trajneri Jose Mourinho kishte refuzuar përpara takimit, që të komentonte mungesën e Pogbasë.
Jo vetëm kaq, por Murinjo ishte acaruar pak ditë më parë pas komenteve të gazetës pariziene, “L’Equipe” se Pogba është në relata të këqija me të, dhe se po mendon për t’u larguar nga Mançesteri.
Pas ndeshjes ai u pyet nëse francezi do të ishte i gatshëm për Championsin, ndërsa pati edhe një ngacmim për lojtarin e tij.

Jose Mourinho: “Nuk e di. Unë thashë përpara ndeshjes se nuk doja të flisja për këtë gjë. Mjekët më thanë se Poli nuk mund të luante në këtë ndeshje, por unë doja të përqëndrohesha tek takimi, doja që të gjeja zëvendësuesin për të, të luanim mirë dhe të fitonim. Një ditë para ndeshjes, ne patëm një seancë mjaft të mirë taktike, dhe po ju them si kuriozitet se Poli do të luante nga e majta, por pastaj ai nuk u ndje mirë. Ne aktivizuam Nemanja Matiçin në të majtë, ndonëse nuk është pozicioni I tij, dhe ai luajti mirë. Shpresoj që Poli të ndihet mirë dhe të luajë të mërkurën”.

Pogba besohet se vërtet nuk po kalon një moment të mirë.
Ai pati debat me Mourinho-n në një nga ndeshjet e kaluara, u la në stol në një përballje tjetër, ndërsa ndaj tij ka pasur kritika të forta.
Ja çfarë thoshte për të një muaj më parë ish-ylli I Mançester Junajtidit,

Paul Scholes: “Unë e kam ndjekur Pogbanë kur ishte tek Juventusi, pra tek një skuadër shumë e mirë. Pogba vraponte dhe luftonte, ai shënonte gola. Ndoshta, ai ndihmohej nga fakti se lojën e drejtonte Pirlo, ndërsa tek Mançester Junajtid pritej që Pogba të ishte edhe më i mirë. Ku është sot, Pol Pogba i Juventusit?”

Çfarë do të bëjë Mourinho me yllin e marrë për rreth 105 milionë euro?

Ekziston shqetësimi se Pogba mund të jetë një dështim, një tjetër dështim i trajnerit portugez.
Në kohën kur ishte tek Çelsi, Murinjo lejoi të largoheshin dy talente të mëdhenj që sot po shkëlqejnë, Mohamed Salah dhe Kevin De Brujnin.
Futbollistët ikën për jo më shumë se 34 milionë paund stërlina, ndërsa sot, të dy bashkë, kushtojnë ndoshta 300 milionë euro.
Salah po krahasohet me Lionel Mesin tek Liverpuli i Jurgen Klopit, ndërsa De Brujn cilësohet si truri i Mançester Sitit të Pep Guardiolës./abcnews.al