Kukës
Në qarkun e Kukësit vazhdojnë reshjet e dëborës me intensitet të lartë. Raportohet gjatë mbrëmjes ka vështirësi qarkullimi në të gjitha akset rrugore që lidhin Kukësin me zonat e tjera.
Trashësia e dëborës në qytet është 40 centimetra ndërsa në zonat malore është mbi 70 centimetra. Sipas të dhënave të orëve të fundit, disa fshatra janë të izoluara.
Korçë
Edhe në qarkun e Korçës, bora ka bllokuar rrugët disa zonave të thella malore që kanë mbetur të izoluara. Po ashtu e bllokuar është rruga drejt fshatit turistik të Dardhes, për shkak të trashësisë së madhe të dëborës.
Ndërsa në akset kombëtare të këtij qarku mjetet mund të qarkullojnë vetëm me zinxhirë.
Në zonat urbane të Korçës, situata është më e mirë, pasi punohet në vazhimësi për pastrimin e borës.
Lezhë
Në ultësirën e Lezhës, bora ka arritur në mbi 10 centimetra, kurse në zonën e Mirditës mbi 50 centimetra. Për pasojë është pezulluar mësimi në shkolla.
Të bllokuara janë fshatrat e Njësive Administrative Selitë, Kaçinar, Orosh dhe Fan, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me qendrat administrative. Shtabet e Emergjencave pas analizimit të situatës pritet të ndërhyjne në disa zona.
Elbasan
Në qarkun e Elbasanit është rënduar situata nga reshjet e dendura të dëbores. Vëmendja është përqëndruar në akset rrugore që lidhin Elbasanin me Qafë Thanën, Elbasanin me Tiranën dhe me disa qytete të tjera.
Gjatë pasdites u bllokua përkohësisht lëvizja në tunelin e Qafë Krrabës, për shkak të një aksidenti dhe përkohësisht lëvizja e mjeteve u devijua nga Durrësi.
Por më pas, situata iu kthye normalitetit dhe aktualisht vijon qarkullimi në aksin Elbasan-Tiranë.
Sipas Shtabit të Emergjencave janë bllokuar disa fshatra të thellë malorë në Prrenjas, Librazhd, Gramsh dhe Elbasan. Për shkak të situatës së rrugëve të bllokuara në këto zona rurale mësimi nuk është zhvilluar në disa shkolla.
Shkodër
Edhe në Shkodër janë raportuar probleme nga reshjet e dëbores, sidomos në zonat malore të këtij qarku.
Banorët e këtyre zonave janë të izoluar. Rruga e Dukagjinit është e bllokuar.
Segmentet Tamarë – Vermosh, Bogë- Theth janë të pakalueshme. Në zonën e Shoshit dhe në Malësinë e Madhe ka probleme edhe me energjinë elektrike.
Ndërsa aksi Pukë- Fushë Arrëz mësohet se është i kalueshëm me zinxhirë./abcnews.al