Moti i keq përfshin Europën

schedule12:50 - 14 Janar, 2019

schedule 12:50 - 14 Janar, 2019

Janë 15 viktimat e regjistruara deri tani në Europë si pasojë e motit të keq. Meteorologët parashikojnë reshje të dendura dëbore dhe në ditët në vijim, ndërsa meteorologët gjermanë deklarojnë se kohëzgjatja e fenomeneve të tilla është pasojë e ndryshimeve klimaterike.

Europa është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura bore që kanë shkaktuar problem të shumta dhe në trafikun e automjeteve. Nga Norvegjia në Ballkan, janë shënuar viktima, orteqe dëbore dhe situata kritike. Janë ende me qindra banorët e izoluar në disa komunitete alpine pasi rrugët janë bllokuar nga orteqet. Në Gjermani dhe Austri situata është kritike pasi trashësia e dëborës ka arritur deri në 180 centimetra. Në Sllovaki një 37-vjeçar humbi jetën nga një ortek dëbore, ndërsa në Mynih një fëmijë 7 vjeç ndërroi jetë si pasojë e rënies së një peme, e cila ishte ngarkuar me dëborë. Numri i viktimave në Europë nga moti i keq ka shkuar në 15. Në Austri janë dy mijë banorët që kanë mbetur të izoluar.

Në Bavierë, në jug të Gjermanisë janë regjistruar 100 aksidente automobilistike brenda një nate si pasojë e ngricave në rrugë. Edhe rrjeti hekurudhor është bllokuar në Gjermani si pasojë e dëborës në shinat e trenit, gjithashtu janë anuluar dhe qindra fluturime. Shërbimi meteorologjik gjerman ka shpallur gjendjen e alarmit në jug të vendit, si dhe në pjesën lindore me temperaturat që shënojnë minus 9 gradë Celsius. Qeveria e Vienës në Austri ka vendosur në gjendje gatishmërie 300 ushtarë, të cilët do të ndihmojnë në zhbllokimin e rrugëve në zonat më të goditura nga reshjet e dëborës.

Në veri të Norvegjisë, autoritetet paralajmërojnë për rrezikun e orteqevve, ndërsa instituti metereologjik suedez ka shpallur gjendjen e alarmit në veri të vendit. Në Republikën Çeke rreth 9 mijë familje janë pa energji elektrike për shkak të reshjeve të dendura të dëborës në kufi me Austrinë dhe Gjermaninë. Meteorologët gjermanë janë të bindur se ndryshimet klimaterike shkaktojnë kohëzgjatjen e këtyre fenomeneve ekstreme meteorologjike./abcnews.al