Kryeministri Edi Rama ndodhej në lagjen e Zall Herrit ku dorëzoi çelësat për 199 familje që humbën shtëpitë nga tërmeti i nëntorit 2019. Ai i bëri thirrje banorëve që t’i mirëmbajnë ndërtesat dhe mos ndërtojnë shtesa pa leje sepse do t’i konfiskohen, nisur nga vendimi fundit i qeverisë i bërë publik dy ditë më parë.
Rama: Është gjithmonë një moment i bukur në këtë rrugëtim aspak të lehtë të rindërtimit, kur vjen ky moment që të dorëzohen shtëpitë.
Është një moment kur e ndjen dhe e prek nga shumë afër. Në fund të ditës ato që mbeten janë veprat dhe ajo që këtu mbetet pas gjithë kësaj kohe janë dyert e hapura për 199 familje që nga sot kanë një shtëpi që kurrë nuk do të mund ta bënin dot vetë. Tani ju takon juve që ta mirëmbani këtë lagje dhe mos vini gardhe e mos ziheni për gardhe me njëri-tjetrin. Ju takon juve që mos bëni shtesa siç bëjnë disa të pangopur në mes të Tiranës. Atyre do t’ia marrim shtetas dhe katet dhe në gjithë ato metra katrorë që janë ndërtuar jashtë lejes, ne do strehojmë përsëri familje që janë në nevojë për strehim. Ose do t’i detyrojmë që t’i paguajnë ato metra katrorë me çmimin real, plus edhe gjobën sipër.
Mua më ka mësuar kjo rrugë, kur përpiqesh të bësh diçka duhet edhe të përgatitesh të dëgjosh diçka. nëse s’do të të shajnë, mallkojnë, akuzojnë mos dil nga shtëpia. Nëse do të të thonë të gjithë “sa burrë i mirë”, mos fol e mos u duk gjëkundi. Atëherë je burrë shumë i mirë. Nëse merr përsipër të bësh një punë dhe përpiqesh t’i ndryshosh gjërat atëherë gjithmonë ka baltë për ty.
/Abcnews.al/