Morën peng një person dhe kërkonin 10 mijë euro, në pranga 5 vetë

schedule10:42 - 26 Gusht, 2019

schedule 10:42 - 26 Gusht, 2019

Autoritetet shqiptare në bashkëpunim me ato greke kanë arrestuar 5 persona pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë peng Jetmir Terrollarin. 4 prej tyre janë arrestuar në Greqi dhe një në vendin tonë. Pengmarrësit kërkonin 10 mijë euro për lirimin, por gjithçka u zbulua pas telefonatës që i bënë familjes së Terrollarit.

“5 shqiptarë janë arrestuar pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë peng një bashkëkombasin e tyre, duke u kërkuar familjarëve të tij shumën prej 10 mijë eurosh në këmbim të lirimit. 4 nga 5 personat e arrestuar janë ndaluar në Greqi aty ku është realizuar edhe pengmarrja. Vendndodhja e pengmarrësve është zbuluar nga telefonata që i kanë bërë familjes së viktimës”.

Personi i marrë peng është Jetmir Terrollari. ABC News ka mësuar se 31-vjeçari ka ngacmuar bashkëshorten e njërit prej personave që e morën peng. 4 personat e arrestuar në Greqi kanë deklaruar në dëshminë e tyre në policinë greke se urdhrin për të rrëmbyer Jetmir Terrollarin e kanë marrë nga Shqipëria, pikërisht nga personi që policia shqiptare arrestoi në Tiranë, 24-vjeçari me inicialet L.P.

Jetmir Terrollari është rrëmbyer pranë një stacioni treni në Greqi dhe është mbajtur peng disa ditë në Korinth. Ka qenë policia shqiptare e cila ka marrë informacionin pasi ka arrestuar shqiptarin 24-vjeçar në Tiranë që e cilëson si bashkëpunëtor të grupit.

Në kohë reale autoritetet shqiptare i kanë përcjellë atyre greke informacionin dhe adresën e saktë të vendndodhjes së pengmarrësve dhe mbajtjes së pengut, çka ka sjellë lirimin nga policia greke të pengut, shqiptarit 24-vjeçar dhe arrestimin e katër pengmarrësve të tij në Greqi, tre burra të moshës 49, 41 e 19 vjeç banues në Tiranë dhe të një gruaje 35 vjeç.

Mësohet se pas lirimit, Jetmir Terrollari u ka deklaruar autoriteteve greke se nuk njeh asnjë nga personat që e kanë marrë peng, e që i kërkonin familjes së tij 10 mijë euro për ta liruar.

Hetimet si nga autoritetet greke ashtu edhe ato shqiptare po vijojnë me verifikime për zbardhjen e motivit të vërtetë të pengmarrjes dhe për të zbuluar nëse këta persona e kanë bërë dhe herë të tjera një gjë të tillë.

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!