“Mora fjalë”, dhurata e këngëtarit të ri për 15-vjetorin e Pavarësisë: Na përfaqëson të gjithëve nëpër botë

schedule10:25 - 17 Shkurt, 2023

schedule 10:25 - 17 Shkurt, 2023

Në këtë 15-vjetor të Pavarësisë së Kosovës nuk mund të mungonte as muzika e bukur. Prandaj këngët patriotike janë ato që prekin zemrat e të gjithëve. Më e fundit është punuar nga këngëtari i ri Kras, i cili ka bërë një version të ri ‘cover’ të këngës së madhe të Shkurte Fejzës ‘Mora fjalë’.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ai ka treguar pse zgjodhi pikërisht këtë këngë, e cila i përfaqëson të gjithë shqiptarët e Kosovës nëpër botë.

“E kisha taksur që kjo këngë do të bëhej dhuratë për Pavarësinë e Kosovës, se vetë tematika e këngës është e tillë, për lirinë e Kosovës, për legjendarin tonë të pavdekshëm dhe të adhurueshëm, Adem Jashari. Për këtë arsye kjo nuk është vetëm një dhuratë, janë 6 dhurata që kanë për tu publikuar njëra pas tjetrës. Janë edhe dy të tjera këngë patriotike që kanë për të dalë shumë shpejt, që e kanë tematikën e njëjtë për Kosovën, për luftën dhe për lirinë. Kështu që jam shumë i lumtur që në këtë festë, në këtë 15-vjetor të Kosovës e kam nxjerr këtë këngë, këtë cover të këngëtares së madhe Shkurte Fejza dhe shpresoj që versioni im t’i ketë pëlqyer shumë publikut.

Ne e kemi zgjedhur bashkë me produksionin tonë këtë këngë, sepse është një këngë legjendare, një këngë që ne si kosovarë na përfaqëson kudo nëpër botë. Edhe kush më shumë se kjo këngë i përshtatet historikut të Kosovës, sepse shumë trima kanë derdhur gjakë për lirinë. Kështu që edhe unë e këndoj me shumë dëshirë këtë këngë dhe kam dhënë maksimumin tim në këngën ‘Mora fjalë’”, u shpreh ndër të tjera Kras./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!