Montonte bomba me celularë/Arrestohet pronari i dyqanit që u plagos

schedule11:04 - 13 Mars, 2018

schedule 11:04 - 13 Mars, 2018

Arrestohet personi që mbeti i plagosur një ditë më parë, pas një shpërthimi të fortë në dyqanin e celularëve. Gentian Hoxha akuzohet për montim minash me celularë, pasi në dyqan iu gjetën kapsolla dhe pluhur tritoli.

Një ditë pas shpërthimit te dyqani i celularëve, policia e kryeqytetit vuri në pranga biznesmenin, Gentian Hoxha.

34-vjeçari dyshohet se montonte mina me celularë. Sipas grupit hetimor, Hoxha në momentin e shpërthimit, ku mbeti edhe vetë i plagosur, ishte duke montuar lëndën plasëse në një aparat telefonik. Ndërkohë, zyrtarisht policia pohon se brenda dyqanit u gjetën 2 kapsolla përcjellëse, pluhur tritoli, si dhe disa tela që përdoren për montimin e minave.

Gjithashtu u sekuestruan edhe 3 detonatorë, të cilët aktivizojnë shpërthimin nëpërmjet kapsollave përcjellëse.

Në servisin e celularëve, ekspertët e xhenios gjetën edhe një mikroskop, që zakonisht përdorej për montimin e minave me celularë në qarkun e tyre elektrik.

Nisur nga provat që janë gjetur brenda biznesit të Gentian Hoxhës, policia, po heton edhe për lidhjet e tij me persona të tjerë, që mund të jenë implikuar në këtë aktivitet.

Qytetarët tregojnë tmerrin që përjetuan momentin e shpërthimit një ditë më parë pranë institutit të Higjenës dhe sesi i dhanë ndihmën e parë të lënduarit.
“Kur e nxorrëm këtu as njiheshe, vetëm një gjë e zezë. Pantallonat ishin djegur edhe kishte dy plagë në gju, por gishtat i pamë të prera. Ishte bërë copë-copë”.

34-vjeçari ndodhet nën trajtimin e mjekëve në Spitalin e Traumës, ku sipas tyre gjendja e tij është përmirësuar dhe këtë të martë mund të merret në pyetje nga oficerë të policisë gjyqësore.

Në tregun e zi minat me celularë variojnë nga 700 deri në 1500 euro./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!