Monolog nga Erion Kristo
Nëse jetën do ta përfytyronim si bukë të thekur, arti duhet ta përfytyrojmë si gjalpë. Pra arti dhe jeta janë si bukë me gjalpë. Arti është pikërisht ai që e bën jetën e një kombi cilësore. Pra, kalojmë nga mbijetesa te jeta cilësore.
Një jetë pa art është si një bunker nga ata të socializmit. Prandaj lind nevoja që të ushqehemi me art, sepse më shumë rëndësi i kushtojmë gojës, duke harruar gjëegjëzën e lashtë që thotë: Rrumbullak strumbullak, ka shtatë vrima rretheqark.
Ne kujdesemi për stomakun, duke harruar se edhe sytë duan të hanë, pra të lexojnë libra, të shohin piktura apo kinematografi. Ne nuk kujdesemi për veshët tanë, që të dëgjojnë muzikë të shkëlqyer, por jemi bërë zhurmaxhinj dhe në veshët tanë depërton vetëm zhurma, jo harmonia.
Ndaj lind nevoja që të kujdesemi për artistët, sepse ata janë njerëzit që e shndërrojnë jetën tonë nga mjerane në një jetë me vlera. Janë artistët që na ushqejnë me vlera, që na rrisin në shpirt. Po ne, si sillemi me artistët? Ne kujtohemi për ta, vetëm kur ata vdesin dhe nuk kemi me çfarë ta mbushim boshllëkun që lënë pas.
Ne i kemi lënë ata me xhaketa të zbërdhylura dhe në mjerim të plotë. E pastaj u kërkojmë llogari sikur të ishin ata që na kanë katandisur në këtë gjendje. Ne kujtohemi për ta vetëm në kohë fushatash, për t’i përdorur, për t’i shpërdoruar, për t’i kthyer në pështymore publike, për t’i përdorur si çadra elektorale. Dhe ne harrojmë kontributin e tyre dhe për shkak të bindjeve politike, ndërsehemi si qen të tërbuar ndaj tyre.
T’i duam, t’i mbrojmë dhe të kujdesemi për artistët, se ata nuk mbijnë në pemë. Se ata nuk përsëdyten. 4 milion shqiptarë mund të kujdesen për 4000 artistë të të gjitha llojeve që kemi. Një në një mijë. Se do na i marrë bota dhe këta që kanë mbetur. Nuk mund të ngremë një Shqipëri të pasur, me artistë të varfër.