Pushteti nuk është i rëndësishëm për Monika Kryemadhin. E ftuar në “Provokacija” nga Mustafa Nano ajo tha se do donte që pushteti të ishte i barabartë me të gjithë.
Monika Kryemadhi: “Unë nuk kërkoj pushtet. Unë dua që pushteti të jetë i barabartë me të tjerët sepse një ditë je apo s’je në pushtet, një ditë do jesh si të gjithë qytetarët e tjerë dhe do ta ndjesh të nevojshme që ky pushtet të jetë i barabartë për të gjithë”.
Mustafa Nano: “Një ditë kur? Një ditë që s’vjen kurrë”?
Monika Kryemadhi: “Jo vjen dita”.
Mustafa Nano: “Ka ardhur vetëm për Fatos Nanon”.
Monika Kryemadhi: “Jo ka ardhur për Fatos Nanon, ka ardhur për Sali Berishën, pavarësisht se është deputet nuk është më kryeministër”.
Mustafa Nano: “Është protagonist çdo ditë”?
Monika Kryemadhi: “Ka ardhur për shumë njerëz të tjerë. Për Bujar Nishanin, Rexhep Mejdanin, Aleksandër Meksin, pavarësisht je apo s’je, në momentin që nuk ke asnjë pushtet ke nevojë për sistemin. Ai sistem që ne e quajmë pushtet sot. Një sistem që të jetë i barabartë për të gjithë”.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim tregoi edhe për aleancën opozitare. Ajo tha se qëllimi është krijimi i një fronti kombëtar kundër krimit.
“Bashkëbisedimi ynë me zotin Basha është përsa i përket çkriminalizimit të situatës politike në të cilën ne jemi. Problematikat që ne shtrojmë sot me të gjitha frontet politike është ideja e një krijimi të një fronti kombëtar përsa i përket kundër krimit. Problemi ynë nuk është Edi Rama sot, është sistemi në të cilën është ndërtuar sot gjithë qeverisja shqiptare”, u shpreh ajo.
E pyetur nga Mustafa Nano nëse Rama është kriminel, kryetarja e LSI-së tha: “Unë mendoj që Edi Rama është peng i kriminlevë. Se kriminel është ai që vret me dorë”.
Për shumicën e njërëzve vënia e saj në krye të LSI-së mund të quhet rrokadë ndërmjet saj dhe Ilir Metës, por Monika Kryemadhi tha se kushdo që i njeh ata të dy e bën menjëherë dallimin.
Monika Kryemadhi: “Sigurisht që të krijon një lloj shijeje që iku burri dhe erdhi gruaja, por kjo ka qenë një kërkesë e zotit Vasili. Ai ka qenë që e ka kërkuar me këmbëngulje të madhe dhe ia kërkoi edhe kur e diskutuam dhe unë i thashë “Ore Titi unë nuk dua për shumë arsye sepse e shikoj, kam shumë probleme, fëmijët që janë adoleshentë e tjerë””.
Mustafa Nano: “Këto s’i beson njeri sepse ju shohin si grua ambicioze”.
Monika Kryemadhi: “Jo familjare jam unë fëmijët unë i kam merak shumë dhe sakrifikoj shumë sepse mendoj që janë në një moshë shumë të vështirë. Unë mendoj që kush njeh Monikën dhe njeh Ilir Metën bën menjëherë dallimin midis të dy nesh. Mund të jemi karaktere të ndryshëm dhe pjesa më e madhe e partisë në 14 vitet e aktivitetit ka punuar me mua jo me Ilir Meta. Ai ka qenë po themi lideri që krijonte vizionin, vijën politike të partisë, ndërsa në anën organizative ka qenë Monika”.
/abcnews.al