Modeli i taksimit në prag të fushatës, PS-PD tregojnë pagat për policët, infermierët e mësuesit

schedule15:01 - 28 Qershor, 2020

schedule 15:01 - 28 Qershor, 2020

Taksim i sheshtë 9% apo progresiv ? Duket se do të jetë kjo pika tjetër e debatit politik midis opozitës dhe qeverisë në prag të nisjes së fushatës elektorale.

Qeveria e majtë e ka mbrojtur gjithmonë tezën e taksimit progresiv sipas të cilit pagat ndahen në tre fasha dhe për pagat deri në 30 mijë lekë nuk paguhet taksë,fashat e pagave mbi 30 mijë deri në 150 mijë tatohen 13% dhe mbi këtë nivel tatimi është 23% i shumës.

Deputeti Ilir Beqaj në një analizë  për “ABC News” argumenton efektet e aplikimit të taksës progresive te disa profesione. Në bazë të taksimit progresiv, sipas deputetit Beqaj, rreth 7 mijë punonjësve të Policisë së shtetit që kane një pagë prej 77 mijë lekë. Nëse zbatohet taksa e sheshtë 9 %, paga e tyre neto mujore do të jetë 61,450 lekë.

Pra, secili prej tyre do të marrë rreth 8 mijë lekë më pak në muaj, apo 98,000 lekë më pak në vit. Po ashtu Beqaj ka përllogaritur edhe diferencën mes aplikimit të taksimimit progresiv dhe atij të sheshtë për mësuesit që janë pjesë e arsimit të mesëm.

Deputeti socialist sqaron se rreth 7 mijë punonjës në arsimin e mesëm marrin aktualisht një pagë mesatare prej 60 mijë lekësh. Përmes taksimit progresiv ata marrin 49.400 lekë pagë neto, ndërsa nëse do të aplikohej taksimi i sheshtë i kërkuar nga demokratët do të merrnin 47,900 lekë.

Të njëjtin krahasim Beqaj e bën edhe për 6250 infermierë në të gjithë vendin, të cilët sipas tij do të kishin minus në llogaritë e tyre përmes aplikimit të taksës së sheshtë 9% 1.740 lekë çdo muaj.  Por Partia Demokratike e kundërshton tërësish panoramën e ofruar nga Beqaj duke ofruar një krahasim për secilin prej kategorive të marra në analizë nga deputeti socialist.

Kryedemokrati Basha sqaroi se me taksën e sheshtë 9% do të përfitojnë të gjithë të punësuarit si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, dhe do të rritet fuqia blerëse e shqiptarëve. Ndryshe nga sa pretendon Beqaj për pagën e punonjësve të policisë, Basha sqaron se me taksën 9%, një efektiv do të ketë një barrë fiskale prej 1880 leke me pak, se sa me taksen progresive.

Edhe mësuesit në arsimin e mesëm sipas Bashës do të mund të përfitonin 1200 leke në muaj më shumë falë aplikimit të taksës së sheshtë 9%.

Kreu i demokratëve sjell në vëmendje edhe diferencën prej 960 lekësh në muaj që do të përfitonin 6250 infermierë në të gjithë vendin përmes aplikimit të taksës së sheshtë.

Basha ka kujtuar se taksimi i sheshtë është një kërkesë e bërë edhe nga FMN, duke theksuar se përmes këtij taksimi do të inkurajohen investimet e brendshme dhe të huaja dhe do të nxitet punësimi dhe fuqia blerëse./abcnews.al