Mjeku kardiolog ne Spitalin Hygeia: Hipertensioni shton komplikacionet e të prekurve me Covid-19

schedule18:36 - 11 Nëntor, 2020

schedule 18:36 - 11 Nëntor, 2020

Qytetarët që vuajnë nga hipertensioni dhe preken nga Covid -19  janë të riskuar që të kenë më shumë komplikacione shëndetësore.

Doktori Gert Knuti kardiolog -Invaziv pranë spitalit Hygeia  shprehet se më i rrezikshëm është hipertensioni i fshehtë  dhe sipas të dhënave 1 në 3 persona nuk e dinë që vuajnë nga kjo sëmundje duke u kthyer në një problem serioz për shëndetin sidomos  në kohë pandemie.

“Numri i komplikacioneve është shumë i madh, qoftë Covidi, qoftë hipertensioni, do e vinin organizmin në vështirësi goxha të madhe, dhe kjo është parë edhe në këto muaj pandemie.”

Hipertensioni shkakton ndër të tjera sëmundje të rënda kardiake dhe cerebrale .Nisur nga kjo  doktori Gert Knuti i kërkon pacientëve që të mos neglizhojnë kontrollet mjekësore në këtë periudhë.

“Përmirësimi i kontrollit të hipertensionit, qoftë nëpërmjet masave të stilit të jetës, qoftë nëpërmjet terapisë medikamentoze, ndjekjes së ngushtë tek mjeku, merr prioritet në këtë situatë jo të zakonshme.”

Kohët e fundit në Shqipëri ka pasur një rritje të  rasteve me hipertension dhe shqetësues mbetet fakti që të prekur janë edhe moshat e reja.

“Pacientët janë të grupmoshave të ndryshme. Fillesa e hipertensionit, është në një grupmoshë e më në rënie. Trajtimi i hipertensionit merr gjithmonë një rëndësi të madhe për shkak të potencialitet që ka për të shkaktuar probleme madhore…”

Shkak i hipertensionit mendohet se  është një çrregullim në nivel qelizor, që shfaqet me kalimin e moshës. Kjo e bën hipertensionin, sidomos në stade të avancuara, një sëmundje të trajtueshme, por që  kërkon të jetë në ndjekje të vazhdueshme nga mjeku kardiolog.

Në Shqipëri rreth 40% e moshës  mbi 25 vjeç vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!