Këtë mbrëmje në “Provokacija” në Abc News, ishte me anë të një lidhjeje direkte edhe mjeku epidemiolog Alban Ylli.
Gjatë bisedës me gazetarin Mustafa Nano u diskutua rreth shifrave relativisht të ulëta sa i përket koronavirusit në vendin tonë, për të cilat mjeku Ylli u shpreh se vijnë falë masave të marra në kohë.
Më tej u diskutua edhe për kohën kur mund të kemi një “hapje të shoqërisë” dhe masat që duhen marrë bashkë me këtë hap. Alban Ylli sygjeroi se një hapje e mundshme do të ishte mirë që të praktikohej pas të paktën dy javëve me ulje të qëndrueshme apo edhe pas disa ditësh me zero raste në ditë. Gjithsesi, mjeku u shpreh se asnjë herë nuk mund të bëjnë parashikime të qarta duke marrë parasysh natyrën e virusit.
Mjeku epidemiolog shpjegoi gjithashtu se pse në vendin tonë nuk ka pasur mosha të reja që të kenë ndërruar jetë si pasojë e Covid-19, ndërsa shpjegoi gjithashtu nëse do të kemi një “zhdukje” të virust me rritjen e temperaturave.
Pjesë nga intervista:
Mustafa Nano: Ditën e sotme numri i të infektuarve ishte mbi 20, dje ishte gjithashtu mbi 20. Është një shifër që shumë njerëz i ka trallisur, sepse ishim duke pritur që të jepeshin efektet e karantinimin. Ndërkohë që kjo shifra vazhdon.
Alban Ylli: Do ishim shumë me fat që të shihnim që në këtë periudhë të vitit të shihnim rastet të shkonin 8, 6, 5 e me radhë, edhe të bëheshin zero. Por nuk duhet përjashtuar edhe ky rast. Ne parashikonim që prilli të kishte një qarkullim intensiv. Kurba është një kurbë e sheshtë. Ne jemi të lumtur për këtë. Nuk kemi lejuar si shoqëri që të kemi raste më shumë sesa 30, më shumë sesa 50. Mbi 20 apo 30 raste në ditë nuk përbëjnë kërcënim për sistemin shëndetësor. Shpresojmë që në maj të fillojë edhe ajo rënia e plotë. Por, vini re, edhe në Korenë e Jugut vazhdojmë të kemi raste çdo ditë. Që njerëzit të mbeten të shqetësuar është një e keqe, por e mira është që njerëzit të mos krijojnë iluzione. Le ta shfrytëzojmë këtë situatë, më këto raste që shfaqen, edhe si një sinjal që na mban zgjuar vigjilencën dhe kujdesin. Por, një e keqe më reale sesa shqetësim duhet të jetë çështja e kohës së hapjes së plotë. Ne kemi këshilluar që duhet dy javë të qëndrueshme të rasteve të reja, dhe mundësisht ditë të tëra me raste 0 që ne të flasim për hapje totale.
Mustafa Nano: Ka disa zëra në Shqipëri që vënë në dyshim të dhënat që jepen ditë për ditë. Të dhënat e përditësuara. Ju besoni te shifrat që jepen?
Alban Ylli: Unë i besoj shifrat siç jepen në Shqipëri dhe i vlerësoj ato duke përdorur përvojën më të mirë ndërkombëtare. Pra, në një farë mënyre, jemi në gjendje, me shifrat që kemi, të vlerësojmë ku jemi në popullatë.
Mustafa Nano: Pse kemi qenë kaq të suksesshëm, sipas jush? Është një lloj suksesi që nuk puqet shumë me perceptimin që kemi ne për vendin tonë.
Alban Ylli: Jam plotësisht dakord. Duhet ta quajmë veten histori suksesi në këtë mes. Dhe duhet të përpiqemi të shmangim faktorët e jashtëm, apo situatat që na kanë ndihmuar, që janë jashtë kontrollit. Duhet t’i japim Cezarit atë që meriton. Arsyeja kryesore se ne kemi këtë situatë shumë të mirë shëndetësore është e lidhur me masat drastike të marra në kohën e duhur.
Mustafa Nano: Ju nuk e lidhni me doktorët e zotë?
Alban Ylli: Kjo është pyetje pak delikate, përgjigja ime mund të keqkuptohet. Kam respektin më të madh për kolegët e mi, ata janë duke bërë jo më shumë e as më pak se kolegët e tyre perëndimore. Kanë punuar më pak se ata sepse shoqëria i ka ndihmuar.
Mustafa Nano: Unë vë re që edhe numri i të shëruarve është i madh. Si shpjegohet?
Alban Ylli: Nëse e marrim si të mirëqenë. Kjo po ndodh edhe në vende të tjera, si Austri, Zvicër. Është një fenomen i kurbës, ne kemi më pak raste të reja që prodhohen ndërkohë që rastet që janë prodhuar radhë më parë, tashmë janë duke u shëruar.
Mustafa Nano: Problemi i testimeve. Cili është qëndrimi juaj. Duhen bërë testime më shumë apo nuk ka nevojë?
Alban Ylli: Strategjia e ndjekur deri më tani ka një pasojë të suksesshme. Në një farë mënyrë nuk ka arsye për ta konsideruar si jo të suksesshme… Por në momentin që ne hapemi, do të na duhet sërish që të mendojmë për teste dhe për gjurmimin. Në momentin që hapet shoqëria, rritet risku i ri-qarkullimit, i rikthimit.
Mustafa Nano: Kush e ka marrë vendimin që të ketë pak testime? E ka marrë politika apo ekspertët?
Alban Ylli: Kjo është pyetje e fortë, e mirë. Në opinionin tim duhet të ketë qenë e kombinuar. Pavarësisht se ekspertët e kanë dhënë mesazhin bazë.
Mustafa Nano: Nëse do të ishte në dorën tuaj? Do të kishit sygjeruar të njëjtën strategji?
Alban Ylli: Nëse flisni për mua si person, unë me kolegët e mi kemi rënë dakord para disa javësh për gjurmime intensive.
Ndërsa, sa i përket çështjes së publikimit vetëm të inicialeve të personave që humbin jetën nga koronavirusi. I pyetur nëse do të ishte më mirë sikur identiteti i tyrë të zbulohej, mjeku u shpreh se kjo është një çështje etike dhe se është i prirur që të respektojë vendimin e marrë bazuar në Betimin e Hipokratit.
Mustafa Nano: Ekziston ideja e cila thotë që me ngrohjen e kohës, viruset në përgjithësi zhduken. Zhduket dhe ky?
Alban Ylli:…Përgjithësisht kjo ndodh tek viruset me natyrë respiratore. Por ky koronavirus ka dëshmuar deri tani që nuk e plotëson në mënyrë të plotë këtë kusht. Në Ekuador ka pandemi, sistemi shëndetësor aty është në kolaps edhe pse është vend me temperatura të larta. Ne shpresojmë se qarkullimi i tij do të ulet. Duke liruar masat edhe mund ta përdorim këtë aleat natyror por nuk kemi asnjë garanci. /abcnews.al/

