Ditën sotme pritet që kryeministri Edi Rama të zhvillojë një tjetër takim elektoral para zgjedhjeve të 25 prillit dhe këtë herë ka vendosur të “shkelë” stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit.
Pavarësisht se nesër prej orës 16:00 do të luajë Teuta kundër Tiranës, kjo nuk e ka ndalur kreun e qeverisë ta zhvillojë aty mitingun e radhës, duke shtuar edhe stadiumin e Durrësit në hartën e të tjerë stadiumeve të mbushura nga mbështetësit e Partisë Socialiste.
Duke parë reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin tonë, si dhe duke ditur gjendjen e fushës së stadiumit “Niko Dovana”, dueli i ndeshjes së nesërme do të luhet në kushte jo të mira.
Trajnerët Edi Martini dhe Orges Shehi do të duhet të marrin në konsideratë faktin që nesër do të zhvillojnë një ndeshje në mes të llucës, ndaj shpëtimi do të jetë topat e gjatë dhe goditjet standarde.
Për ta shtruar topin as që bëhet llaf, sikurse nuk bëhet llaf që kryeministri Rama të mos e shfaqë dashurinë e tejskajshme për futbollin. Ndoshta edhe mund të zgjidhte një ambient tjetër për takimin e tij elektoral, por jo… /abcnews.al