Misioni i ODIHR: Emigrantët dhe të infektuarit duhej të kishin votuar

schedule16:03 - 26 Prill, 2021

schedule 16:03 - 26 Prill, 2021

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR, në një konferencë për media në raportin e parë dhe paraprak për zgjedhjet në Shqipëri ka adresuar edhe fenomene si shit-blerja e votës apo dhuna gjatë fushatës.

Të pyetur nga gazetarët lidhur me disa çështje që u shoqëruan me debat në vend si vendosja e karantinës për emigrantët në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut, apo mos votimi i personave të infektuar, anëtarët e misionit thanë se kryesisht këto janë probleme të sistemeve përkatëse në çdo vend.

I pyetur për mungesën e një shifre zyrtare të pjesëmarrjes në zgjedhje nga ana e KQZ-së, Aleksander Pociej, drejtuesi i delegacionit vëzhgues PACE, tha se kjo është një çështje relative, që varet nga sisteme e gjithsecilit vend.

“Pati shumë diskutime mes vëzhguesve tanë. Në lidhje me qasje komplet të ndryshme. Në vende të tjera, numërimi i votave bëhet në qendrat e votimit. Dhe, sistemi në Shqipëri është i ndryshëm, kërkon më shumë kohë. Unë vëzhgova zgjedhjet në Bullgari, pjesa më e madhe e pretendimeve për hile apo mashtrime elektorale kishin të bënin me numërimin e votave në qendrat e votimit. Nuk mund t’u përgjigjem se cili nga këto sisteme është më i miri apo më i keqi.”

Ndërsa, në rastin e karantinës së emigranteve, vëzhguesit e OSBE ranë dakord se atyre duhej t’u ishte mundësuar votimi, por shtuan se në këtë rast nuk ka shkelje të ligjeve ndërkombëtare.

“Është shqetësuese, besojmë fort se zgjedhjet, prsh në Poloni dhe Bullgari, arritëm të organizonim në mënyrë të kufizuar, zgjedhje për ata jashtë. Unë besoj se qytetarët që jetojnë jashtë kanë të drejtë të shprehin vullnetin për të votuar.”

Azay Guliyev, drejtuesi afatshkurtër i misionit të vëzhgimit tha se i kuptojnë kufizimet e imponuara nga pandemia, por shtoi se e drejta do kishte qenë që emigrantët ta kishin ushtruar të drejtën e tyre nga vendet ku jetojnë.

“Ne e kuptojmë që kufizimet e vendosura nga pandemia… Do thoja personalisht që në raste të tilla do kishte qenë e vlerësuar që qytetarët të kishin pasur mundësi ta ushtronin të drejtën e tyre ne vendet ku jetojnë…Kanë të drejtë të votojnë në ambasada..mund të jetë çështje e legjislacioni apo kodi zgjedhor. Por shpresoj që të jetë temë mes partive për ta zgjidhur.”

Mos votimi i të infektuarve me Covid-19

Guliyev: “Duhet të jenë kushtet e duhura për ta. Por në këtë rast, unë sërish do ia lija autoriteteve lokale, sepse nuk e dimë se kur do të përfundojë pandemia.”

Kurse, duke iu referuar mos pasjes së një shifre zyrtare të pjesëmarrjes, ambasadorja Urszula Gacek tha se për të është më e rëndësishme transparenca dhe saktësia sesa shpejtësia. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!