Për analistin Skënder Minxhozi ndoshta ka ardhur momenti për një president të majtë. I ftuar në studion e ABC Live, Minxhozi tha se Sali Berisha e ka ushtruar disa herë verdiktin e tij për të zgjedhur kreun e shtetit.
Ndonëse përfliten shumë emra, sipas tij, momenti është që PS të ushtrojë të drejtën e saj për t’i dhënë vendit presidentin e ri.
“Berisha ka afirmuar të drejtën e tij për të ushtruar verdiktin mbi presidentin dhe e ka bërë. Në 30 vjet kemi një president socialist dhe katër demokratë, plus Alfred Moisiu i propozuar gjithashtu nga demokratët. Dimë që partia më e madhe politike është PS.
Ndoshta ka ardhur momenti që kjo maxhorancë që ka votat të ushtrojë të drejtën e zgjedhjes dhe ta marrë këtë detyrë dhe ta bëjë. Dhe të mos bëjë një spektakël si në 2017 që preferoi të bëjë një lojë të shëmtuar me Ilir Metën”, tha ai.
Duke komentuar Ilir Metën në krye të shtetit, analisti shprehet se nuk ka qenë mbi palët, por i rreshtuar hapur me njërën palë. Sipas Minxhozit, Meta ishte opozitar i hapur.
“Duhet të habitemi shumë pak nga kritiat që palët konsumojnë. Presidenti e ka quajtur grup i strukturuar kriminal. Kjo tashmë mund të quhet një histori e arshivuar. Ilir Meta jo të gjitha ligjet që ka kthyer i ka pasur mbi bazën e një inati. Natyrisht ka qenë një opozitar shumë i hapur gjatë mandatit të tij. Nuk ka qenë kryetar shteti, por bashkëkryetar opozite. Populli i 2 marsit është popull i opozitës. Meta ka qenë një president partiak. Ka kthyer një lumë të madhe ligjesh, ka kthyer edhe buxhetin e shtetit që është një skandal. Ilir Meta mbetet një president jo mbi palët, por i rreshtuar te një nga palët”, u shpreh Minxhozi. g.v/abcnews.al