Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me ekspertët e shëndetit publik nisi nga Divjaka procesin e dezinsektimit në zonat turistike dhe ato urbane për vitin 2018. Sipas ekspertëve entomologë, është me rëndësi të madhe fillimi i procesit të dezinsektimit në këtë periudhë.
Divjaka është bashkia e parë që po i nënshtrohet dezinsektimit. Janë ekspertët entomolog që tregojnë rëndësinë që ka nisja e këtij procesi në këtë periudhë.
“Ky proces ka një rëndësi kombëtare duke qenë se mushkonjat përbëjnë faktorët më të rëndësishëm në transmetimin e sëmundjeve infektive, përpos faktit që janë ndër insektet më shqetësuese. Nisja e procesit të dezinsektimit në fillim të sezonit është i një rëndësie të veçante sepse kap fazat e para larvare që kanë çelur si rezultat i vezëve dimërore. Sa më shpejt që të nisë procesi aq më shumë rezultate do kemi”, shprehet eksperti entomolog, Elton Rogozi.
Jo vetëm kaq, por kjo është një garanci për sezonin e ardhshëm turistik theksoi kryetari i Bashkisë së Divjakës
“Ndërhyrja në këtë fazë është shumë e rëndësishme sepse atakimi që në krijimin e fazës së parë larvare para fillimit të këtij sezoni, do të ulë shumë mundësinë e zhvillimit të tyre për të garantuar një sezon turistik sa më te mirë”, shprehet Fredi Kokoneshi kryetari i Bashkisë Divjakë.
Aktualisht specialistët e shëndetit publik kanë nisur procesin e monitorimit që i paraprin atij të dezinsektimit nga Butrinti dhe zonat përreth, duke vazhduar me zonat bregdetare deri në Velipojë, duke përfshirë edhe zonat urbane. Procesi i dezinsektimit nisi në vitin 2014 dhe aktualisht është në vitin e tij të pestë./abcnews.al