Ministria e Shëndetësisë çon në gjykatë vendimin e Urdhrit të Stomatologut

schedule11:46 - 25 Janar, 2019

schedule 11:46 - 25 Janar, 2019

Ministria e Shëndetësisë padit në Gjykatë urdhrin e Stomatologut për vendimin për rritjen e tarifave të shërbimit. Por deputeti i PD Bardh Spahia thotë se Ministria ka votuar këtë vendim antiligjor. Verifikimi ka nisur nga Autoriteti i Konkurencës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale çon në gjykatë vendimin e Urdhrit të Stomatologut që percakton listen e çmimeve dysheme për shërbimet në klinikat dentare.

Dërgimi në gjykatë i këtij vendimi argumentohet nga Ministria e Shëndetësisë me faktin se nuk është tagër i Urdhrit të Stomatologut caktimi i tarifave të shërbimeve.

Sipas Ministrisë, nuk do të ketë rritje tarifash sepse vendimi i Urdhrit të Stomatologëve është i paaplikueshëm.

Edhe Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të paditur në Gjykatë Urdhrin e Stomatologut. Deputeti Bardh Spahia në një status në FB shkruan se: “Ministrja e Shëndetësisë po u hedh hi syve pacipësisht, pasi votoi më 6 dhjetor vendimin antiligjor”.

Sipas PD-së, ministrja Manastirliu duhet të dalë vetë para Gjykatës si pjesë e atij vendimi.

Nga ana tjetër Autoriteti i Konkurrencës ka nisur procedurat për vlerësimin e vendimit të Urdhrit të Stomatologut.

Komisioni i Konkurrencës do të shprehet me vendimmarrje në mbledhjen e javës së ardhshme, nëse ky akt bie në kundërshtim me ligjin nga ana e Urdhrit të Stomatologut.

Urdhri i Stomatologut,  me anë të një vendimi të bërë publik, ka vendosur që çmimet në klinikat dentare nga fillimi i vitit të shtrenjtohen nga 60 deri në 100%. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!