Ministria e Mjedisit i hoqi të drejtën për të shfrytëzuar malin e Tomorrit nëntë guroreve, ndërkohë që dhjetë të tjera u pezulluan. Ministri Blendi Klosi deklaroi se këto biznese kishin përfituar financiarisht duke shkelur ligjin dhe shkaktuar një katastrofë natyrore.
“Mes shumë të tjerash, dy shkeljet më të rënda të konstatura ishin: ndryshimi I koordinatave të gërmimit nga leja në terren dhe e dyta: mungesa e zbatimit të detyrimit ligjor për rehabilimin e zonës së gërmuar. Asnjë prej këtyre bisneseve, nuk kishte sistemuar zonën e gërmuar, duke e mbushur me dhe’ dhe duke gjelbëruar, sic ligji e kërkon, për cdo pemë të prerë, duhet të mbillen tre të tjera”, tha Klosi.
Për të vijuar veprimtarinë e tyre në shkelje të çdo rregulli, ministri i Mjedisit deklaroi se këto biznese kanë gjetur mbështetjen e gjykatave. Akuza e drejtpërdrejtë e ministrit Klosi për mbështetje të padrejtësisë shkoi për Gjykatën Administrative të Qarkut Vlorë.
“Me një vendim absurd dhe tërësish arbitrar, gjykata administrative e qarkut Vlorë, ka lejuar vijimin e gërryerjes pa kriter të malit të Tomorrit, për dy nga subjektet që ju është revokuar leja. Ky vendim me hije të forta korruptive, bëhet edhe më shumë pis, pasi për të njëjtin proces gjyqësor, me të njëjtin objekt ankimi, e njëjta gjykatë dhe i njëjti gjyqtar, i ka dhënë të drejtë vetëm 2 nga 9 subjekteve ( të gjitha në shkelje të ligji) që kishin kundështuar revokimin e lejes mjedisore. Në vendim, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë: ka vendosur “Pranimin e masës së sigurisë për dy aktpadi, nga 9 të tilla që ishin paraqitur pranë saj. Kjo do të thotë me fjalë të tjera: se gjykata deri në shqyrtim në themel të cështjes, i jep të drejtë këtyre dy subjekteve të vijojnë punën e gërryerjes së Malit të Tomorrit”, deklaroi Klosi.
Ministri Klosi ngre disa pikëpyetje për të cilat thotë se kanë edhe përgjigjet.
“Përse dy guroreve, ju është dhënë e drejta të rifillojnë punën, dhe për 7 të tjera, me të njëjtat kushte dhe me të njëjtin objekt ankimimi, gjykata rrëzuar kërkesën e tyre? Pikëpyetja tjetër edhe më e rëndë është: si ka mundësi që për këtë subject (foto e printuar nga koordinatat), ku duket qartë ndryshimi i koordinatave, gjykata i ka dhënë të drejtë të vijojë bisnesin barbar të gërryerjes së Malit të Tomorrit?? Asgjë më shumë se interesat abuzivë dhe korruptiv, të gjykatave dhe gjykatësve që në përpëlitjen e fundit përpara zbatimit të plotë të vettingut, janë duke bërë dëmet e fundit kundër shtetit dhe interesave qytetare”, u shpreh ministri i Mjedisit.
Ministri Klosi deklaroi se ministria e Mjedisit dhe Turizmit është angazhuar për të mbrojtur ligjin ndërkohë që bëri të ditur se i ka kërkuar Këshillit të Ministrave që malin e Tomorrit ta vendosë në listën e zonave të mbrojtura. Inciativë që do të merret edhe për malin e Krujës./abcnews.al