Lleshaj, me urgjencë tek tregjet në Shkodër: Nuk ka ndërgjegjësim, do ashpërsohen masat

schedule10:55 - 6 Prill, 2020

schedule 10:55 - 6 Prill, 2020

Mëngjesin e sotëm ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka vizituar Shkodrën ku pritet të inspektojë tregjet në këtë qytet.

Vizita e Ministrit të Brendshëm është bërë në kuadër të situatës së rënduar ditët e fundit në këtë qytet. Shkodra ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit të të infektuarve.

Gjatë inspektimit në këtë qytet Lleshaj ka deklaruar se do të ashpërsohen masat edhe më tej.

“Do të ashpërsohen masat për shkak të situatës së ditëve të fundit, nga mosrespektimi i masave në tregje. Kam parë shumë shitës dhe blerës. Policia e Shkodrës po vepron si duhet por kjo nuk mjafton pasi edhe qytetarët duhet që të respektojnë masat, kjo për të mirën e tyre”, tha Lleshaj në një prononcim për mediat.

Gjatë paradites së sotme janë konfirmuar edhe 6 raste të reja me COVID-19 në qytetin verior. Mësohet se mes të infektuarve janë edhe 2 familjarë të të moshuarës që ndërroi jetë dy ditë më parë. Po ashtu, i infektuar ka rezultuar edhe infermieri, i cili i ka shërbyer për një muaj 80-vjeçares.

Ndërkohë, në të gjithë vendin rezultojnë të infektuar 361 persona dhe janë shënuar 21 viktima. Ndërsa, 104 persona kanë fituar betejën me COVID-19.

Që nga shfaqja e rasteve të para Shqipëria ka bërë 2396 testime me tampon./abcnews.al