Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, u zotua se do të ndërtojë një “shtet hebre izraelit” në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Këto deklarata ministri izraelit i bëri një ditë pasi Qeveria e Izraelit njoftoi për krijimin e 22 vendbanimeve të reja në territorin palestinez.
Vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, që shihen si pengesë e madhe për një paqe afatgjatë, vazhdimisht dënohen nga Kombet e Bashkuara dhe cilësohen si të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Vendimi i së enjtes i Qeverisë izraelite po ashtu u përball me kritika të ashpra nga jashtë.
“Kjo është një përgjigje e vendosur ndaj organizatave terroriste që po tentojnë të dëmtojnë dhe dobësojnë kontrollin tonë ndaj kësaj toke dhe po ashtu është një mesazh i qartë për [presidentin e Francës, Emmanuel] Macron dhe bashkëpunëtorët e tij: ata do të njohin në letër shtetin palestinez, por ne do të ndërtojmë, këtu, në këtë tokë, një shtet hebre izraelit”, citohet të ketë thënë Katz, sipas një njoftimi të lëshuar nga zyra e tij.