Ministri i Kosovës Lluka në ABC News: Sfidë rregullimi i tregut energjetik

schedule16:56 - 19 Nëntor, 2018

schedule 16:56 - 19 Nëntor, 2018

Marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës ishin në fokus të bisedës së Ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Valdrin Lluka, në studion e ABC News me gazetaren Bruna Çifligu.

Lluka pranon se marrëveshjet e nënshkruara kanë pasur probleme dhe nuk janë zbatuar të gjitha, por disa janë në përfundim e sipër, ndërsa më 26 nëntor do të nënshkruhet në Pejë marrëveshja për roaming.

“Edhe në tregun e Kosovës e Shqipërisë vazhdon të mbizotërojë axhenda e importeve nga vende të tjera si Italia, Greqia dhe Maqedonia. Disa nga marrëveshjet nuk kanë arritur të konkretizohen, mirëpo ato janë në përfundim e sipër, ka marrëveshje që nuk janë implementuar, kanë patur probleme, por disa janë në përfundim e sipër. Në 26 nëntor do të nënshkruhet marrëveshja e roaming që do t’u mundësohet qytetarëve nga Kosova e Shqipëria pa pagesë shtesë dhe do përfitojnë pak më shumë qytetarët nga Kosova”.

Një tjetër marrëveshje e rëndësishme për ministrin kosovar është edhe marrëveshja rajonale për tregun energjitik, e cila nuk është implementuar për shkak pengesës nga Serbia. e cila nuk e njeh Kosovën si treg të veçantë.

“Kosova me rajonin ka disa marrëveshja, por ajo me fokus të veçantë është Marrëveshja rajonale për tregun energjetik. Nuk kemi qenë në gjendje ta implemetojmë për shkak të mosnjohjes së Kosvës nga Serbia si një treg i veçantë apo kontrollues energjik, është ngritur vëmendja nga Bashkimi Evropian dhe jemi duke afruar për një zgjidhje përfundimtare që do mundësohet shkëmbimin e energjisë për qytetarët e rajonit. Kjo do bëhet e mundur kur Kosova të bëhet e pavarur në tregun energjetik”.

Lidhur me tarifën prej 10% për mallrat serbe dhe boshnjake, e cila nuk është pritur mirë nga BE, Lluka thekson se ka patur presion nga Bashkimi Evropian, por Kosova duhet ta shfrytëzojmë si mekanizëm për të dërguar disa procese përpara.

“Ka presione, Bashkimi Evropian ka qenë më kritik, por Kosova tregtinë me Serbinë e ka mjet të vetin për të përdorur për interesat e veta, duke ditur që Serbia është importuesi më i madh në Kosovë  duhet ta shfrytëzojmë si mekanizëm për të dërguar disa procese përpara. Ne prej 5 vitesh jemi peng i integrimit energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë, pasi Serbia nuk e njeh Kosovën dhe ne kemi humbje 25 milionë euro në vit, pa llogaritur dëmet e tjera financiare. Edhe në këtë rast edhe BE ishte dorëzuar nga zgjidhja përfundimtare. Ne kemi qenë në vazhdimësi pjesë e bllokadave të Serbisë ndaj Kosovës. Edhe sot Serbia lobon që Kosovës mos t’i jepet vota në Interpol”.

Ministri kosovar apeloi që në këtë rast bizneset e Kosovës dhe Shqipërisë të rrisin bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, të kenë tregti të mallrave dhe të rrisin prodhimin.

Sipas tij sfida e qeverisë dhe ministrisë që ai drejton është rregullimi i tregut energjetik dhe lehtësirat për biznesin.

“Sfida aktuale në Kosovë është rregullimi i tregut energjetik. Janë rreth 300 milionë euro humbje e biznesit në vend dhe fokusi i energjisë është primari në vend dhe heqja e burokracisë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!