Ministri i Brendshëm turk: Në SHBA kemi një pronë, Fetullah Gylen

schedule14:25 - 2 Gusht, 2018

schedule 14:25 - 2 Gusht, 2018

Mbeten të larta tensionet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë. Ministri i Brendshëm turk Soylu është shprehur se Ankaraja ka një pronë në SHBA, Fetullah Gylen, dhe do ta marrë atë.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleiman Soilu, nëpërmjet një mesazhi në profilin e tij në Tuiter ka reaguar ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sanksione ndaj tij dhe ministrit të Drejtësisë, Abdulhamit Gül.

“Në Amerikë kemi një pronë, FETO. Nuk do ta lëmë atje, do ta marrim”, ka shkruar Soylu.

Reagimi i tij erdhi një ditë pasi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders tha se mund të vendosin sanksione ndaj ministrave Soylu dhe Gül, për moslirimin e pastorit amerikan Endrju Craig Brunson i cili përballet me akuza për terrorizëm në Turqi. Sanders po ashtu ishte shprehur se do të bllokohen pasuritë e dy ministrave në SHBA.

Ndërkohë Ministria e Jashtme e Turqisë, protestoi fuqishëm ndaj vendimit të Departamentit amerikan të Thesarit, duke kërkuar nga administrata amerikane të tërhiqet nga “vendimi i gabuar”.

Brunson u transferua në arrest shtëpiak javën e kaluar, pasi ishte arrestuar në provincën e Izmirit në dhjetor të vitit 2016. Ai akuzohet për spiunazh për PKK-në, e njohur si organizatë terroriste në SHBA dhe Turqi dhe organizatën terroriste FETO, e cila sipas Ankarasë ka organizuar grushtin e shtetit në korrik të vitit 2016, ku mbetën të vrarë 251 persona dhe u plagosën mijëra të tjerë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!