Ministri i Brendshëm gjerman: 69 emigrantë të dëbuar për 69-vjetorin

schedule20:53 - 10 Korrik, 2018

schedule 20:53 - 10 Korrik, 2018

Një grup emigrantësh janë dëbuar nga Gjermania ditën e lindjes së ministrit të Brendshëm. Si për ironi të fatit, numri i të deportuarve ka qenë i njëjtë më atë të moshës së ministrit dhe Horst Zehofer nuk e ka kaluar këtë koinçidencë pa një shaka.

Pavarësisht problemeve në koalicionin qeverisës, ministri i Brendshëm gjerman Horst Zehofer e ka gjetur kohën e lirë për të bërë shaka me krizën e emigrantëve. Në batutën e tij, Zehofer ka bërë një ndërthurje të numrit të emigrantëve të dëbuar këtë muaj me moshën e tij. “Nga të gjitha dhuratat që mora për 69-vjetorin tim, më e veçanta ishte ajo e kthimit të 69 emigrantëve në Afganistan”, ka thënë Zehofer. Deportimi i azilkërkuesve që dështuan në përpjekjen e tyre ndodhi më 4 korrik, pavarësisht se Afganistani nuk konsiderohet një vend i sigurtë për shkak të luftimeve mes talebanëve dhe milicive të tjera me forcat qeveritare. Nga 69 emigrantët e larguar, 51 prej tyre ishin vendosur në Bavari, që është dhe landi ku ministri i Brendshëm ka lindur. Shakanë e tij Zehofer e ka bërë teksa ka prezantuar një masterplan për emigrantët, për të cilin nuk ka rënë dakord me partnerët e koalicionit. Drafti i hartuar prej tij parashikon ngritjen e pikave të kontrollit në autostradat që lidhin Gjermaninë me vendet fqinje, të cilat shfrytëzohen nga azilkërkuesit për shkak të lëvizjes së lirë. Gjithashtu, ministri kërkon ngritjen e qendrave të tranzitit për një kontroll të shpejtë të emigrantëve në kufirin me Austrinë, një ide që është refuzuar nga Social Demokratët, që janë partnerë në qeverinë e kancelares Angela Merkel. Vetëm javën e kaluar, Merkel arriti një marrëveshje për politikat e azilit me ministrin Zehofer, pas një përplasjeje që rrezikoi krisjen e koalicionit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!