Ministri Gjiknuri në Gjirin e Lalëzit: Rritja e arkëtimeve nga uji shton investimet

schedule11:19 - 3 Shkurt, 2018

schedule 11:19 - 3 Shkurt, 2018

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ka inspektuar investimin 13 milionë euro për ndërtimin e ujësjellës kanalizimeve në Gjirin e Lalëzit dhe fshatrat përreth.Ministri Gjiknuri nënvizoi rëndësinë që ka reforma e ujit dhe rritja e performancës së ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve në të gjithë vendin.

Në këtë zonë po zbatohen dy projekte investimi që sëbashku arrijnë në vlerën e rreth 13 milion eurove. 30 mijë banorët e Gjirit të Lalëzit janë përfituesit e drejtpërdrejtë.

Projekti i parë ka të bëjë me ndërtimin e kolektorit kryesor të ujërave të zeza dhe Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Përdorura në zonën turistike. Ndërtimi I rrjetit të ujësjellësit është projekti I dytë.

“Me përfundimin e këtij impianti i cili do të vihet në funksionim në vitin 2019, e gjithë kjo zonë nuk do të ketë më probleme me trajtimin e ujërave te zeza. Do kemi një zgjidhje me një teknologji të fundit, projekti i bërë është ndër me bashkëkohorët. Realisht i jep një zgjidhje përfundimtare gjithë kësaj zone dhe i shërben gati 30 mijë banorëve të cilët do të lidhen me këtë rrjet. Vepra po shkon shumë mirë, unë pata një bisedë edhe me kontraktorët, gjithçka po shkon sipas planit”

Ministri Gjiknuri risolli në vëmendje reformën në sektorin e ujit të pijshëm dhe nevojën për rritjen e performancës së ndërmarrjeve të ujësjellës/kanalizimeve në të gjithë vendin.

“Qeveria shqiptare, në vazhdën edhe të aksionit që ka nisur për një mirëadministrim të sistemit të ujit që është i lidhur me kanalizimet, pikërisht këtë ka qëllim, rritjen e performancës ekonomike. Rritja e arkëtimeve, shëndoshja financiare e gjithë sektorit, në mënyrë që të kemi investime aq të nevojshme duke filluar nga zona që kanë potencial më të madh ekonomik siç janë zonat me përparësi turizmi”./abcnews.al