Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi një takim me holomogen e tij kroate, njëkohësisht zëvendëskryeministren Marija Pejçinoviç. Në përfundim të takimit gjatë konferencës së përbashkët, zv/kryeministrja shprehu mbështetjen e shtetit të saj ndaj progresit të Shqipërisë në integrimin europian.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, priti në takim zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Europiane të Republikës së Kroacisë, Marija Pejçinoviç Buriç, e cila po zhvillon një vizitë zytare në Tiranë.
Ditmir Bushati: “Kroacia, nga ana jonë, konsiderohet një vend me histori suksesi përsa i përket transformimit të brendshëm dhe për procesin e reformimit të sundimit të së drejtës. Modeli kroat është një nga modelet që është marrë në analizë gjatë procesit të bërjes së reformës në drejtësi dhe zbatimit të saj”.
Zv/kryeministrja Pejçinoviç, fillimisht, shprehu kënaqësinë e ekzistencës së dokumentit të zgjerimit, si hap i parë dhe i domosdoshëm, sipas saj, në politikat e Bashkimit Europian.
Marija Pejçinoviç Buriç: “Ka 6 shtete në europën juglindore në stade të ndryshme të integrimit europian dhe ne duam t’i mbështesim të gjitha sëbashku me Shqipërinë”.
Në veçanti, reformat që prekin shtetin ligjor, tha zv/kryeministrja kroate, janë të vështira për vende në tranzicion, ndaj gjithmonë duhet njohur progresi i bërë.
Marija Pejçinoviç Buriç: “Ne besojmë se Shqipëria në këto dy vite bëri progres në atë mënyrë që e vetmja rrugë përpara do të ishte mbështetja pa kushte për nisjen e negociatave për antarësim për Shqipërinë. Dhe Kroacia, kur të vijë momenti, do të mbështesë me gjithë zemër këtë zhvillim”.
Kjo do të ishte në linjë me rekomandimin e vitit 2016 të Komisionit Europian, tha ministri Bushati, ndaj vetë logjika çon në një rekomandim pozitiv dhe miratim të tij prej anëtarëve, argumentoi ai.
Ditmir Bushati: “Ne nuk presim dhurata, as nuk bëhet fjala për lëshime reciproke. Ne presim që KiE dhe pastaj vendet anëtare t’i qëndrojnë besnik rekomandimit të 2016-s dhe logjikës së miratuar nga vendet anëtare të BE-së në 2016, ku parashikohet fillimi i bisedimeve për anëtarësim lidhur me procesin e reformës në drejtësi”.
Të shpresojmë që progresi të merret në konsideratë, tha zv/kryeministrja e Kroacisë, sa i përket dhënies së rekomandimit nga Komisioni, që më pas ia kalon atë votës së antarësisë se BE.
Marija Pejçinoviç Buriç: “Sigurisht jo çdo shtet anëtar ndihet njëlloj për këtë çështje, ka miq të zgjerimit, ata që janë në mes dhe nga ata që janë kundër por nga eksperienca jonë duhet të bindësh shtetet, përse duhet hedhur hapi i radhës për të vazhduar në fazën tjetër”.
Ministri Ditmir Bushati njoftoi vijimin e komunikimit me shtetet antare për të kërkuar mbështetjen e tyre në këtë proces, komunikim i cili do të intensitikohet pas publikimit të raportit në samitin për Ballkanin Perëndimor, që do të mbahet në muajin Maj në Sofie./abcnews.al