Statusi i ka nxjerrë sërish minatorët përpara kryeministrisë. Ata kërkojnë miratimin e shpejtë të tij. Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e ajo e Financave dhe Ekonomisë deklarojnë se drafti është gati, por me të nuk kanë rënë dakord, të gjithë përfaqësuesit sindikalë.
Minatorët kanë dalë sërish para kryeministrisë për të kërkuar miratimin e statusit. Ndonëse Policia e Tiranës iu ka refuzuar kërkesën për tubim, ata e vijuan protestën e tyre.
Drafti shpjegojnë se është hartuar dhe ka kaluar në të gjithë institucionet, por nuk dinë të thonë pse miratimi i tij është vonuar. Rritja e masës së pensionit është kërkesa kryesore e tyre. Minatorët paralajmëruan një tjeter protestë të martën, ndërkohë që nuk përjashtuan as mundësinë për të hyrë në grevë urie.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ajo e Financave e Ekonomisë pas protestës pranoi se drafti për statusin e minatorit është gati. Ai është hartuar nga një grup ndërinstitucional pune, por jo të gjithë përfaqësuesit e sindiakatave kanë rënë dakord me të.
“Fatkeqësisht, deri tani, ka dhe një pjesë përfaqësuesish sindikalë të cilët nuk kanë rënë dakord me draftin e propozuar nga pjesa kryesore e sindikalistëve. Gjejmë rastin që tu bëjmë thirrje të gjithë përfaqësuesve sindikalë që të bëhen pjesë e diskutimeve në tryezën e grupit të punës, të bashkohen në qëndrime mbi një draft të vetëm i cili më pas ti nënshtrohet procedurave të përcaktuara në ligj”, thuhet në njoftimin e ministrisë./abcnews.al