Të paktën 12 ushtarë pakistanezë janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur gjatë sulmit të kryer nga grupi militant Tehrik-e Taliban Pakistan (TTP), në zonën Bar të Vaziristanit të Jugut më 13 shtator, tha ushtria pakistaneze.
Ushtria e Pakistanit tha se trupat e saj ishin duke kryer operacione kundër militantëve kur u përballën me një kundërsulm.
Zyra për media e ushtrisë e konfirmoi incidentin, por përmes një deklarate tha se ka vrarë 13 militantë gjatë operacionit. Një zyrtar i lartë policor në atë zonë, që foli në kushte anonimiteti për Radion Mashaal të Radios Evropa e Lirë konfirmoi sulmin ndaj një automjeti ushtarak në zonën Badar Fakir Sarai.
TTP-ja, që njihet edhe si talibanët pakistanezë, mori përgjegjësinë për sulmin. Zëdhënësi i grupit militant, Muhammad Khurasani tha se 30 ushtarë u vranë.


