Mik festival ndriçon Korçën, një javë koncerte me artistë vendas

schedule14:50 - 25 Korrik, 2019

schedule 14:50 - 25 Korrik, 2019

“Mik Festival” nisi në qytetin e Korçës, për të dytin vit radhazi. Nën tingujt e muzikës klasike, nata e parë e festivalit ndërkombëtar iu kushtua motrave Zengo, piktoret e para femra ne Shqipëri me origjine nga fshati Dardhë i Korçës. Inva Mula, ideatorja e këtij festivali tha se qëllimi i koncertit është përqafimi i kulturës, muzikës, artit dhe njohjes së figurave që kanë kontribuar në pasurimin e kësaj fushe.

Vlerësuar si një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës kombëtare, Mik Festival,vjen në edicionin e dytë,në Korçë,prej nga ku nisi, me misionin për të risjellë, promovuar dhe përcjellë trashëgiminë e pasur që lanë kontribuesit e artit ndër shekuj.

Koncerti i familjes Papadhimitri,në çelje të natës së parë të Festivalit,si homazh për motrat Zengo,të parat piktore femra,do të vijojë me një program të pasur dhe cilësor përgjatë pesë netëve.

Aktiviteti do të pasohet nga mbrëmja spanjolle, ajo vjeneze, një koncert i rrallë do të mbahet në kishën e Shipskës, për t’u  mbyllur me serenatat korçare në ambjentet e Pazarit.

Një hapësirë të veçantë Festivali do të kete edhe për artistër e rinj,të cilët për  ideatoren e eventit,sopranon Inva Mula,duhet mbështetur dhe inkurajuar,për të garantuar vazhdimësinë e arritjeve më të mira të artit kombëtar.

Me garancinë e suksesit të edicionit të parë,bashkia e Korçës,do të vijojë mbështetjen për Mik Festival,edhe si detyrim për brezat e artistëve dhe personaliteteve të këtij qyteti, që spikatën edhe në skenat ndërkombëtare.

Publiku i zgjedhur ka admiruar magjinë e muzikës së familjes Papadhimitri, në natën e parë të Festivalit, të cilët erdhën nga Kanadaja për t’u bërë pjesë e eventit.

Mik Festival do t’i sjellë  Korçës dhjetë koncerte, mbi 120 artistë nga më virtuozët e skenave kombëtare dhe atyre ndërkombëtare. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!