Mijëra njerëz në varrimin e vëllait të ish-deputeti të PS

schedule14:29 - 10 Dhjetor, 2017

schedule 14:29 - 10 Dhjetor, 2017

Viktima e atentatit në Lezhë, Aleksandër Ndoka u përcoll në banesën e fundit. Policia lejoi të birin e tij të ndaluar të merrte pjesë në ceremoni. Edhe pas më shumë se 24 orësh, policia ende nuk ka gjetur atentatorët dhe nuk ka përcaktuar dot shkaqet e këtij krimi.

Lagjia Nënë Tereza në qytetin e Lezhës ishte destinacioni i mijëra njerëzve që shkuan për ti dhënë lamtumirën e fundit Aleksandër Ndokës, vëllait 48 vjeçar të ish-deputetit të Lezhës.
Furgoni i policisë së burgjeve solli edhe të birin e viktimës, Samuelin, i cili ndodhet i ndaluar për një ngjarje në Shëngjin, ku mbeti i plagosur një aktivist i LSI.
Nuk mungonin personazhe të jetës politike lokale apo edhe ata të ardhur enkas nga Tirana.

Rrugët u mbushën me automjete, kurse pranë vendit ku janë edhe banesat e familjarëve të viktimës, shihej grumbulli i madh i njerëzve për të bërë homazhe.
U desh edhe mbështetja e policisë rrugore për të normalizuar trafikun që krijohej nga vargu i mjeteve në drejtim të mortit.
Në mesditën e kësaj të diele, kortezhi i shoqëruar me mijëra njerëz u nis për në varreza.

Edhe pas më shumë se 24 orë nga vrasja e Aleksandër Ndokës, ende nuk ka asnjë autor të dyshuar apo motiv të krimit.
Ndonësë në Lezhë u vendosën oficerët e krimeve të rënda të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ngjarja ka mbetur enigmë.
Aleksander Ndoka u vra me breshëri kallshnikovi orët e para të së shtunës në hyrje të shtëpisë.
Atentatorët, duke përfituar nga errësira dhe mungesa e ndriçimit në rrugë u larguan pa lënë gjurmë. Kurse trupi i viktimës u gjet i pajetë brenda në makinë nga familjarët e tij pak kohë pas ngjarjes./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!