Migen Memelli: Mensah ia del, me Apoloninë luajmë ndeshjen e sezonit

schedule18:34 - 16 Maj, 2021

schedule 18:34 - 16 Maj, 2021

Skënderbeu përballet me Apoloninë nesër në Korçë dhe tre pikët do e afronin edhe më shumë me objektivin mbijetesë. Korçarët po kalojnë një moment të mirë, por trajneri Migen Memelli kërkon maksimumin nga skuadra e tij, pasi luajnë ndaj një ekipi që nuk do të ketë presion.

“Rezultate e mira njëra pas tjetrës na japin besim dhe forcë të ecim përpara. Është një ndeshje po aq e rëndësishme sa të tjerat, për të mos thënë më e rëndësishmja e sezonit sepse do na krijonte siguri në vetvete si skuadër dhe staf për të mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Të tria ndeshjet janë finale. Të gjithë skuadrat që luajnë për mbijetesë do të bëjnë më të mirën. E rëndësishme është të mendojmë për ndeshjen e nesërme me Apoloninë”, tha Memelli fillimisht, ndërkohë që nuk ndalet me kaq.

“Apolonia është një skuadër që ka dalë nga objektivat dhe kur ndodh kjo skuadrat kanë një lirshmëri psikologjike në lojën e tyre. Shprehen më mirë dhe nuk kanë presionin e javëve të mëparshme. Ne duhet të jemi seriozë dhe të japim maksimumin”.

“Situata në ekipi? Mara është me katër kartonë të verdhë. Mensah ka pasur një problem në shpatull dhe besoj se do të jetë në fushë kundër Apolonisë. Sa i takon Elvi Berishës, për të do të vendosim pas seancës së fundit stërvitore. Kemi 24 lojtarë dhe kushdo që luan ka besimin tonë dhe do bëjë më të mirën”, përfundon Memelli. /abcnews.al