Grupi i Shtatë vendeve (G7) njoftoi plane të reja me qëllim parandalimin e Kinës për të dominuar në zinxhirët e furnizimit për minerale kritike, me qëllimin afatgjatë të ribalancimit të tregut global. Marrëveshjet, të njoftuara pas një takimi të ministrave të energjisë të G7 në Kanada, përfshijnë një gamë të mineraleve kritike si dhe metale të rralla, një sektor në të cilin Pekini duket se ka ndikim të rëndësishëm.
“Këto hapa të parë nga Aleanca e Metaleve të Çmuara G7 “i dërgojnë një mesazh shumë të qartë botës”, tha Tim Hodgson, ministri kanadez i energjisë. Ai gjithashtu theksoi se përqendrimi i Kinës në treg po merret shumë seriozisht. Ministrat nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara u takuan në Toronto disa ditë pasi Uashingtoni dhe Pekini arritën një marrëveshje sipas së cilës, u tha se Kina pezulloi disa nga kufizimet e saj mbi eksportet e metaleve të rralla për të paktën një vit.
Tokat e rralla përdoren për të bërë magnete, të cilat janë thelbësore për industrinë e automobilave, elektronikës dhe mbrojtjes. Mundësia e kufizimeve në eksportet e tyre nga Kina, lider në këtë sektor, kishte shkaktuar shqetësim në tregje.
Hodgson pranoi se zgjerimi i zinxhirëve të furnizimit do të kërkonte kohë. Sipas tij, qëllimi është të krijohen sisteme nga miniera te magneti. Ndërsa, sekretari amerikan i Energjisë Chris Wright, u tha në një deklaratë për gazetarët se administrata Trump është në të njëjtën linjë me aleatët e saj të G7 në frenimin e ndikimit të Kinës.
“Nuk ka mosmarrëveshje brenda Grupit,” tha ai, duke shtuar: “Ne duhet të kemi aftësitë tona për të nxjerrë, përpunuar, rafinuar dhe prodhuar metale të rralla”. Sipas tij, Kina ka përdorur taktika anti-tregu për të përjashtuar pjesën tjetër të botës nga prodhimi i këtyre produkteve.
/abcnews.al/

