Meta për Referendumin: Të hënën zbuloj detajet e tjera

schedule10:58 - 23 Nëntor, 2019

schedule 10:58 - 23 Nëntor, 2019

Presidenti Ilir Meta, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ka njoftuar se ditën e hënë, do të propozoj disa ide konkrete, për zhvillimin e referendumit. Meta thotë se, janë bërë 21 vjet që klasa politike nuk nxjerr ligj, për zhvillimin e një referendumi, sepse kërkon, sipas Metës, të pengojë ushtrimin e demokracisë direkte.

Gjithashtu Meta thotë se, klasa politike shqiptare, di vetëm të thellojë krizat, dhe të mos mbajë përgjegjësi. Ndaj tashmë, është sovrani ai, që duhet të thotë fjalën e fundit.

Njoftimi i Metës:

“Të dashur qytetarë!

Ja çfarë ka vendosur populli shqiptar në referendumin për Kushtetutën:

Neni 150

  1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.
  2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.
  3. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.

 

U bënë 21 vjet që klasa politike nuk nxjerr ligjin për zbatimin e këtij detyrimi kushtetues për të bërë të pamundur ushtrimin e demokracisë direkte!

Por tani nuk ka më tolerim dhe as justifikime!

Kjo klasë politike di vetëm të thellojë krizat dhe të mos mbajë përgjegjësi. Ajo nuk e njeh dialogun politik, interesin publik dhe kombëtar. Ndaj tani çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit përmes referendumeve.

Çfarë e keqe e gjeti Zvicrën nga Referendumet?

Le të pushojmë sot e nesër dhe të hënën do ju propozoj ide konkrete për Referendumin!”, shkruan Meta./abcnews.al