Meta takime në Maltë: Investoni në Shqipëri

schedule10:51 - 27 Mars, 2018

schedule 10:51 - 27 Mars, 2018

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Maltë, Presidenti i Republikës Ilir Meta është takuar me Kryeministrin Joseph Muscat dhe kryeparlamentarin Anglu Ferrugia.Kreu i shtetit ftoi kompanitë malteze të eksplorojnë potencialet investuese të Shqipërisë, e cila mund të shërbejë edhe si një portë hyrëse për zgjerimin e biznesit së tyre në rajonin e Ballkanit.

Malta mbetet një mbështetëse e fortë e perspektivës evropiane të Shqipërisë. Këtë bindje i shprehu Presidenti i Republikës Ilir Meta kryeministrit Xhozef Muskat por edhe besimin se përkrahja e saj nuk do të mungojë edhe në procesin e rëndësishëm e të shumëpritur të çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Forcimi i bashkëpunimit ekonomik,ishte gjithashtu në fokus të këtij takimi ku Presidenti i Republikës shprehu interesin për të nisur sa më shpejt me krijimin e Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik.

Presidenti Meta ftoi kompanitë malteze të eksplorojnë potencialet investuese të Shqipërisë, e cila mund të shërbejë edhe si një portë hyrëse për zgjerimin e biznesit së tyre në rajonin e Ballkanit.

Dëshirën për të thelluar kontaktet dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, kreu i shtetit shqiptar i shprehu edhe ne takimin që zhvilloi me kryetarin e parlamentit Anglu Ferrugia. Presidenti Meta vlerësoi se krijimi i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Maltë, do të ishte një mekanizëm nxitës për njohjen më të mirë të zhvillimeve dhe arritjeve në secilin vend, dhe do të përshpejtonte nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike dhe tregtare për të dy vendet./abcnews.al