Meta refuzon zbardhjen e mbledhjes së KSK

schedule16:06 - 10 Nëntor, 2017

schedule 16:06 - 10 Nëntor, 2017

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka refuzuar kërkesën e deputetëve opozitarë të Komisionit parlamentar të Sigurisë, që i kishin kërkuar deklasifikimin dhe zbardhjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të 11 nëtorit 2016, ku është diskutuar në lidhje me fenomenin e drogës. Sipas Metës, kjo kërkesë bie ndesh me ligjin për sekretin shtetëror, ndërkohë që do të përbënte një precedent të rrezikshëm për sigurinë kombëtare.

Ilir Meta i ktheu përgjigje deputetëve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke refuzuar kërkesën e tyre për deklasifikimin e mbledhjes së një viti më parë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me qëllim që të bëhen publike informacionet e sjella atëherë nga institucionet pjesëmarrëse në lidhje me fenomenin e kultivimit dhe trafikut të drogës.
Më 11 nëntor 2016, Presidenti i kohës, Bujar Nishani, thirri një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pas një kërkese të Ilir Metës, atëherë kryetar i Kuvendit, për të diskutuar mbi çështjen “Balili”.

Por një vit më pas, ndryshe nga sa i kërkuan deputetët opozitarë të Komisionit parlamentar të Sigurisë, zbardhja e diskutimeve në atë mbledhjes, nuk është pranuar nga Meta si Kryetar i Shtetit, me arsyetimin se shkelet paketa ligjore që ka të bëjë me materialet e klasifikuara “sekret shtetëror”.
Presidenti Meta shton se kërkesa bie ndesh gjithashtu me nenin 10 të ligjit “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit të Forcave të Armatosura”, ku përcaktohet se “Mbledhjet e KSK-së zhvillohen të mbyllura”, me qëllim që të krijohet një atmosferë besimi ndërmjet anëtarëve të KSK-së.
Në letrën e tij drejtuar deputetëve opozitarë, Meta shpjegon se institucioni i Presidentit të Republikës ka detyrimin t’u afrojë anëtarëve të KSK-së sa më shumë garanci besimi, për ta këshilluar dhe mbështetur Kreun e Shtetit në ushtrimin e përgjegjësive të tij.

Përtej kushtëzimeve ligjore, Presidenti gjykon se pavarësisht qëllimeve të mira të grupimeve të caktuara, deklasifikimi dhe publikimi i diskutimeve në mbledhjet e KSK-së – që nuk ka ndodhur asnjëherë, nënvizon Meta – do të përbënte një precedent me pasoja afatgjata për funksionimin e këtij Këshilli, gjë që bie ndesh me interesat afatgjata të sigurisë kombëtare.
Në fund, Meta arsyeton se ky vendim i tij nuk pengon institucionet e tjera, pasi në rastet kur vlerësohet se ka prova që mund t’i shërbejnë Akuzës, ekzistojnë hapësirat ligjore që Institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm të kërkojë dhe të përdorë informacionin e mbledhjeve për interesa të hetimit./abcnews.al

 

https://youtu.be/X4OuEDTtlRM

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!