Meta përkujton viktimat e regjimit nazist dhe stalinist: Historia rrezikon të përsëritet

schedule13:08 - 23 Gusht, 2020

schedule 13:08 - 23 Gusht, 2020

Presidenti Ilir Meta ka përcjellë një mesazh në Ditën Europiane të kujtimit të viktimave të nazizmit dhe stalinizmit. Përmes një reagimi në facebook, teksa ka përkujtuar viktimat që humbën jetën nga krimet e “dy ideologjive shkatërrimtare”, Kreu i Shtetit thotë se historia rrezikon të përsëritet në forma të tjera nëse “harrojmë çmimin e dhimbshëm që kemi paguar për Lirinë, Demokracinë, Të Drejtat dhe Dinjitetit Njerëzor.”

Më tej, ai thekson se vendi ynë për katër dekada u kthye në “Korenë e Veriut të Europës”, ndërsa shton se duhet të bëhet më e mira që çdo shqiptar të jetojë të ardhmen e sigurtë europiane në Shqipëri, dhe jo si emigrant në vendet e tjera.

Reagimi i plotë:

Në Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Nazizmit dhe Stalinizmit nderojmë të gjithë jetët e pafajshme të humbura nga krimet dhe terrori i dy ideologjive shkatërrimtare dhe bashkëndajmë dhimbjen me të gjithë ata që u mbijetuan burgjeve, internimeve dhe torturave çnjerëzore.

Historia rrezikon të përsëritet në forma të tjera nëse harrojmë çmimin e dhimbshëm që kemi paguar për Lirinë, Demokracinë, Të Drejtat dhe Dinjitetit Njerëzor.

Një nga tiparet e regjimeve totalitare është fshirja e kujtesës historike, fillimisht nëpërmjet propagandës, e më pas edhe represionit.

Për mbi 4 dekada ne u shndërruam në Korenë e Veriut të Europës, ndaj kemi sot përgjegjësinë për të mbrojtur në çdo moment lirinë, demokracinë, pluralizmin e paqen sociale, që nuk na janë dhënë njëherë e përgjithmonë.

“Arturo Ui” i Bertolt Brecht dhe “Ferma e Kafshëve” e George Orwell, dy alegoritë më të jashtëzakonshme të Nazizmit dhe Stalinizmit, i kanë dhënë mbarë njerëzimit mesazhe të vlefshme në çdo kohë dhe tepër paralajmëruese.

Dy kryeveprat botërore na mësojnë se kur shoqëria është neglizhente në mbrojtjen e Lirisë dhe Demokracisë, përherë do të shfaqet një gangster ambicioz si Arturo Ui, që i rrethuar nga servilë të paskrupullt, dallkaukë dhe kriminelë, ngjitet në pushtet, duke shantazhuar kundërshtarët e asgjesuar opozitën, pasi merr nën kontroll gjykatat dhe i mbyll gojën shtypit.

Apo ashtu si në Fermën e Orwellit, kafshët e shtypura pasi rebelohen për liri e barazi, befas një elitë dinake e udhëhequr prej derrave me parimin se “të gjithë janë të barabartë, por disa janë edhe më të barabartë se të tjerët” merr kontrollin e pushtetit dhe një tirani zëvendësohet me një tjetër.

Të mos harrojmë kurrë tragjeditë e së shkuarës dhe duke bashkuar të gjitha forcat të bëjmë më të mirën që çdo shqiptar të gëzojë jetën, lumturinë, të drejtat, liritë dhe të ardhmen e tij të sigurtë europiane në Shqipëri dhe jo si emigrant në vende të tjera. /abcnews.al/