Meta mesazh politikanëve: Të tregojnë përgjegjesi në çdo vendim

schedule16:06 - 25 Shkurt, 2019

schedule 16:06 - 25 Shkurt, 2019

Politikanët duhet të tregojnë përgjegjësi në cdo vendim që marrin. Këtë mesazh zgjodhi Presidenti i Republikës Ilir Meta t’u drejtojë politikanëve nga ceremonia e Bekimit të Gurit të Themelit të Spitalit “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Shqipëria e ka mbështetjen dhe vlerësimin e selisë së shenjtë.Të bekuar ndjehen shqiptarët që janë në lutjet hyjnore të Papa Franceskut.  Me këto fjalë iu drejtua presidenti i republikës Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin në ceremoninë e Bekimit të Gurit të Themelit të Spitalit “Zoja e Këshillit të Mirë”. Një mesazh e kishte edhe për politikanët në Shqipëri.

“Mesazhet dhe lutjet për paqe dhe vëllazërim, për qetësi dhe bashkëjetesë janë sot aktuale për shoqërinë tonë, për politikën dhe politikanët, për përgjegjësinë e madhe dhe historike që ata duhet të tregojnë në çdo vendim që marrin në interes së të ardhmes europiane.

Duhet të bëjmë gjithçka për të realizuar edhe atë porosi të veçantë të Papa Françeskut, që Shqipëria të mos vuajë nga dimri demografik i Europës, por t’i mbajë të rinjtë këtu duke u ofruar edhe më shumë shpresë e mundësi”.

Bekimi i gurit të Themelit të Spitalit “Zoja e Këshillit të Mirë”u dha nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin.

Sekretari i shtetit të Vatikanit zhvilloi një takim edhe me kryeministrin Edi Rama. Kjo është vizita e dytë që zhvillon Sekretari i Shtetit të Vatikanit në Shqipëri. Për herë të parë ai e ka vizituar vendin tonë në vitin 2014, gjatë vizitës së Papa Françeskut. Kardinali Pietro Carolin është numri 2 i Selisë së Shenjtë pas Papa Franceskut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!