Meta kthen ligjin për Forcat e Armatosura: Nxit idenë e gabuar se gjen punë dhe “pa shkollë”

schedule16:58 - 26 Shkurt, 2021

schedule 16:58 - 26 Shkurt, 2021

Presidenti Ilir Meta i ka kthyer kuvendit mbrapsht ligjin për karrierën në Forcat e Armatosura me argumentin e dekurajon arsimimin e të rinjve dhe nxit idenë e gabuar se gjen punë edhe “pa shkollë”. Në arsyetimin e tij presidenti, kërkon përmirësimin e trajtimit financiar të ushtarakëve për të ndaluar largimin e tyre nga vendi.

Ai thotë se ky ligj cenon meritoracinë në Forcat e Armatosura ndërsa ngre pyetjen se i kujt është interesi që trupa jonë ushtarake bazë e Forcave të Armatosura të cenohet dhe të humbasë kredibilitetin e saj.

Meta thekson se ndryshimet ligjore cenojnë piramidën e drejtimit në Forcat e Armatosura si dhe kërkon të mos preket ecuria në karrierë dhe fitimin e gradave përmes ndërhyrjeve të qeverisë.

Dekreti i presidentit

PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 15/2021 “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 59/2014 “PËR KARRIERËN USHTARAKE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe të nenit 93 të Kushtetutës,

Dekretoj

Kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit nr. 15/2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

/mv.abcnews.al