Balla: Meta propozoi 6 Marsin për zgjedhjet vendore, jemi dakord, e ka kuptuar që shkeli Kushtetutën

schedule12:53 - 19 Janar, 2022

schedule 12:53 - 19 Janar, 2022

Presidenti Ilir Meta ka propozuar datën 6 Mars për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në bashkitë që kanë mbetur pa kryetarë. Lajmi u bë i ditur nga kreu i Grupit Parlamentar Taulant Balla jashtë dyerve të presidencës pasi zhvilloi një takim me kreut të shtetit.

Ai theksoi se presidenti ka shkelur afatet për caktimin e datës së zgjedhjeve duke marrë rastin e Shkodrës ku tha se data duhet të ishte caktuar brenda një afati 45-ditor që nga shpallja e vakancës.

“Jemi ftuar nga presidenti sot për një takim konsultativ lidhur me vakancat prej shumë kohësh në shumë bashki të vendit. I thashë presidentit se ky institucion duhet ta kishte ushtruar këtë detyrim ligjor që në njoftimin më të parë për krijimin e vakancave duke filluar nga më e para e krijuar në gusht të vitit 2019 në bashkinë e Shkodrës.

Respekti ndaj kushtetutës është detyrim nga të gjitha institucionet. Zgjedhjet duhet të ishin zhvilluar brenda afatit 45-ditor. Dhe për ne nuk ka asnjë datë. Data është e përcaktuar nga ligjit dhe kushtetuta. Nga presidenti jemi informuar edhe me institucionet përgjegjëse për zhvillim. Presidenti mendon që zgjedhjet duhet të zhvillohen në datën 6 Mars”, tha Balla.

Balla tha se do të respektojnë kushtetutën duke mos e kundërshtuar datën e propozuar nga Meta ndërsa shtoi se ai e ka kuptuar që ka shkelur kushtetutën. “Për ne kushtetuta dhe ligji janë të panegociueshme. Unë e thashë zgjedhjet në Shkodër duhet të ishin zhvilluar në shtator të vitit 2019. Unë kam ardhur për këtë çështje dhe dua të jem korrekt për rëndësinë që ka ky moment kur ndodhemi sot. Pas disa shkeljeve, Gjykata Kushtetuese ka folur dhe kjo çështje ka marrë fund’, tha Balla. /abcnews.al