Presidenti Ilir Meta, këtë të mërkurë nga Fieri ka zhvilluar një bashkëbisedim me gazetarët në lidhje me situatën politike në të cilën ndodhet vendi në këtë prag të fushate elektorale.
Gjatë fjalës së tij Presidenti theksoi se qytetarët duhet që të zgjedhin kandidatët më të mirë, duke shtuar se çdo person duhet të ndërgjegjësohet dhe të kuptojë se në demokraci fuqia është vota.
“Me rëndësi pjesëmarrja masive në zgjedhjet e 25 prillit.Të gjithë e kanë kuptuar rëndësinë që ka ndërgjegjësimi i çdo qytetari se vota e tij është fuqia e tij e vërtetë në demokraci. Jam i bindur se këtë fuqi do ta tregojnë më 25 prill.
Presidenti ka qenë gjithmonë në anën e Kushtetutës, të interesit publik dhe kombëtar. Presidenti ka qenë gjithmonë për zgjedhje të lira e të ndershme dhe ka theksuar prej kohësh që në themelet e krizës qëndron kriza e legjitimitetit të institucioneve.
Presidenti ka vetëm një votë. Vota e tij duhet të jetë e barabartë me votën e qytetarit më të thjeshtë. Presidenti do që çdo qytetar të ndërgjegjësohet se vetëm përmes votës ai do të hapë një rrugë të re për veten e tij dhe për shoqërinë tonë. Kur flas për referendum më 25 prill e them sepse është vendosur në pikëpyetje e ardhmja europiane e Shqipërisë”, tha Meta.
/abcnews.al/