Recital i Lamin Jamalit në Arabi. Kështu komentuan gazetat e kryeqytetit pasi Barcelona shkatërroi Realin 5-2 në finalen e Superkupës së Spanjës në Riad.
I dyti “El Klasiko” radhazi që katalanasit dërrmojnë rivalin e madh, pasi ia dolën 4-0 në kampionat, madje brenda në “Santiago Bernabeu”.
Lamin Jamal, futbollisti i ri më premtues i botës, shënoi shpejt duke barazuar golin e shënuar që në minutën e pestë nga Kilian Mbape.
Më pas erdhi spektakli i Barçës që arriti në 4-1 që në pjesën e parë, me autorë golash Levandovski me penallti, Rafinja dhe Balde.
Me të nisur pjesa e dytë, Rafinja shtoi të dytin, ndërsa Reali dhe trajneri Karlo Ançeloti duhet të falenderojnë portierin kundërshtar, Shezni, që doli me karton të kuq.
Mesa duket, ekipi “blaugrana” nuk arriti shifra edhe më turpëruese për Madridin sepse mbeti me 10 lojtarë.
Gjithsesi, edhe ashtu, Reali shënoi vetëm një gol, në 60’ me autor Rodrigon.
Trajneri Hansi Flick fitoi titullin e parë me Barcelonën, e shpreson të ndiqet nga të tjerë për të përsëritur atë që bëri tek Bajerni në 2020.
“Për mua, më e rëndësishmja është sesi luajmë, është stili I lojës. Ishte e rëndësishme që në Superkupë luajtëm si ekip. Bëmë një punë të jashtëzakonshme. Reali bëri gabime, dhe ne I shfrytëzuam në mënyrën më të mirë për të kontrolluar lojën. Jam I lumtur që ia dolëm. Kemi një skuadër mjaft të mirë. Edhe ata që hynë nga stoli luajtën shumë mirë. Mendoj se luajtëm mirë dhe jam shumë I lumtur për ekipin tim”.
Ndërkaq, kritikat ishin të ashpra për “mbretërorët”, dhe shumica e lojtarëve morën notën 4, me përjashtim të portierit Kurtua dhe të Mbapesë që arritën tek 7-ta.
Sado skandaloz të duket rezultati, është deri diku normal në këtë derbi, që si kryefjalë ka futbollin e hapur dhe sulmues.
Mjafton të kujtojmë se në 11 El Klasikot e fundit, Barça ia ka dalë 4-0, 4-0 e 5-2, ndërsa Reali 4-0 e 4-1.
Më e bukura është se shumica e këtyre fitoreve është arritur në fushën e rivalit. Kjo ishte Superkupa e 15-të e fituar nga Barça, një rekord, ndërsa Reali mbetet me 13./abcnews.al