Meta: Grabitja në Rinas, cënim serioz i sigurisë kombëtare

schedule17:48 - 10 Prill, 2019

schedule 17:48 - 10 Prill, 2019

Kreu i shtetit reagoi përmes një deklarate për mediat 24 orë pas grabitjes spektakolare të një sasie parash në aeroportin e Rinasit.

“Si President i Republikës e konsideroj ngjarjen e përsëritur të grabitjes së djeshme brenda territorit të aeroportit “Nënë Tereza” cënim serioz të sigurisë kombëtare, rendit publik dhe imazhit të vendit”, tha ai.

Në këto kushte, kreu i shtetit kërkoi zbardhjen sa më parë të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve.

“U kërkoj agjencive ligjzbatuese të vazhdojnë me vendosmëri operacionet për identifikimin e plotë dhe kapjen e autorëve, si dhe gjetjen e vlerave monetare të grabitura”, deklaroi Meta.

Sipas presidentit, hetimet duhet të shkojnë edhe më thellë.

“Të gjitha autoritetet përgjegjëse dhe institucionet ligjzbatuese të kryejnë hetime të plota dhe të thella për zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe të përsëritur. Të nxirren dhe të evidentohen përgjegjësitë e plota për çdo institucion që nuk ka kryer detyrën sipas ligjit për parandalimin e kësaj ngjarjeje të përsëritur, që mund të kishte patur pasoja edhe më të rënda dhe të rrezikshme me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve tanë dhe të huaj. Prokuroria të hetojë jo vetëm grabitjen e djeshme por edhe për mosmarrjen e masave në përmbushjen e detyrimit ligjor dhe rekomandimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë të çdo institucioni dhe individi që nuk ka kryer detyrën”, nënvizoi Meta.

Presidenti tha se do të vendosë në dispozicion të Prokurorisë të gjithë dokumentacionin që disponon mbi zhvillimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të datës 16 Maj 2018 dhe konkluzioneve të tij. Në këtë mbledhje, presidenti ka ngritur shqetësimin për mungesën e përgjegjësive të qarta mbi sigurinë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe mangësitë në akses dhe koordinim për ndërhyrjen e duhur të Policisë së Shtetit në rast rreziku.

Ndër detyrat e lëna nga kjo mbledhje, gati një vit më parë, sipas presidentit, ishte edhe ngritja urgjent e grupit të përbashkët të punës nën drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për trajtimin dhe zgjidhjen përfundimtare të të gjithë problematikës së sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!